Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Arsim më i mirë për një të ardhme më të ndritur- Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Arsimit japin grante për shkollat dhe shoqatat civile
Publishing date: 8 qershor 2023
SHKUP, 8 qershor 2023 — Misioni i OSBE-së në Shkup, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ndanë grante për 14 shkolla anembanë Maqedonisë së Veriut që do të mbështesin zbatimin e orëve të përbashkëta kurrikulare- klasa në të cilat dy mësues mbajnë orë të përbashkëta në dy gjuhë, si mjet për të nxitur shkëmbimin ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike.
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll serinë e punëtorive mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për nxënës të shkollave të mesme
Publishing date: 8 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Më 31 maj 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë përfundoi serinë prej pesë punëtorish për nxënës të shkollave të mesme mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual. Organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MESTI), punëtoritë kanë synuar pasurimin e mëtejmë të njohurive të pjesëmarrësve rreth këtyre temave dhe përgatitjen e tyre për të organizuar aktivitete të ngjashme për bashkëmoshatarët e tyre, pas një raundi prej pesë punëtorish te mbajtura vitin e kaluar. Pesë punëtoritë u mbajtën në Gjilan, Mitrovicë Jugore, Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren dhe u ndoqën nga 71 nxënës të shkollave të mesme. Nxënësit mësuan rreth përkufizimeve të dhunës me bazë gjinore, sulmit seksual, ngacmimit seksual, shërbimeve në dispozicion dhe rëndësisë së raportimit të hershëm, si dhe rreth roleve të institucioneve të ndryshme në trajtimin dhe adresimin e rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual. “Bazuar në Anketën e OSBE-së për Sigurinë dhe Mirëqenien e Grave të publikuar në vitin 2019, pothuajse një e treta e të gjitha grave, ose 29%, thonë se kanë përjetuar të paktën një formë të ngacmimit seksual që nga mosha 15 vjeçare. Dhuna ndaj grave është veçanërisht e lartë tek nxënësit me 60%, dhe është shkak e pasojë e pabarazisë gjinore, e nxitur nga normat dhe qëndrimet ekzistuese”, tha Valentina Bejtullahu Turjaka nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. “Nga ana tjetër, ndonëse raportimi i hershëm i dhunës seksuale është thelbësor për të siguruar qasje në drejtësi për viktimat gjatë proceseve gjyqësore, ai mbetet i ulët kryesisht për shkak të mungesës së mbështetjes nga familja, shkolla dhe shoqëria, e ndjekur nga stigma dhe frika nga kërcënimi. Shumë nxënës nuk janë të vetëdijshëm se ngacmimi seksual është vepër penale dhe e dënueshme me ligj në Kosovë, dhe shumë prej tyre nuk kanë informacion mbi shërbimet në dispozicion dhe mekanizmat e raportimit. Prandaj, ndërgjegjësimi i gjeneratave të reja mbi këtë shkelje të ndjeshme të të drejtave të njeriut është domosdoshmëri për të thyer heshtjen, për të fuqizuar vajzat dhe për të parandaluar çdo formë diskriminimi dhe dhune mes tyre”, shtoi ajo. Gjatë punëtorive, përmes ushtrimeve në grup, pjesëmarrësit diskutuan edhe për metodologjinë dhe hartuan plan veprimi se si të organizojnë punëtori për bashkëmoshatarët e tyre. Deri më tani, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së dhe psikologëve të shkollave, nxënësit e trajnuar kanë organizuar 12 sesione informuese për dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për rreth 290 nxënës tjerë. Përveç kësaj, ata kanë krijuar edhe vepra arti dhe posterë me mesazhe mbi dhunën seksuale dhe mekanizmat e raportimit. Gjatë gjithë vitit 2023, me mbështetjen e psikologëve të shkollave, nxënësit do të organizojnë sesione informuese shtesë për dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për më shumë nxënës. Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Autoriteti Italian Kundër Korrupsionit përfundojnë trajnimin për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në prokurimet publike
Publishing date: 8 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë ekonomike, Mirëqeverisja
Më 5 dhe 6 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi fazën e fundit të trajnimeve të kurrikulës me disa module mbi vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit në fushën e prokurimin publik. Trajnimet – të organizuara në partneritet me Autoritetin Italian Kundër Korrupsionit (ANAC) – u hartuan dhe u zbatuan në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH). Prej vitit 2021, rreth 50 auditues të KLSH-së morën pjesë ne një sërë sesionesh diskutimi dhe trajnimi. Në morinë e temave të trajtuara ishin identifikimi i rreziqeve të korrupsionit; vlerësimi dhe menaxhimi i riskut në prokurime dhe në kontratat e partneritetit publik-privat; analizat ekonomiko-financiare; monitorimi i kontratave publike e të tjera. Pjesëmarrësit diskutuan raste studimore konkrete të ofruara nga ANAC-u si edhe rekomandime për fuqizimin e mjeteve kundër korrupsionit dhe për rritjen e transparencës. Trajnimet u dhanë audituesve të KLSH-së mundësinë për të shkëmbyer informacion dhe praktikat më të mira me ekspertët e lartë të ANAC-ut, si edhe për të forcuar kapacitetet e tyre profesionale në kryerjen e auditimeve sa më cilësore në prokurimet publike. Trajnimi i fundit dyditor u fokusua te monitorimi i kontratave publike dhe promovimi i mjeteve dixhitale novatore për të përmirësuar auditimin publik. Në fjalën e tyre, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtorja e Përgjithshme e KLSH-së Mariola Llanaj, Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik Reida Kashta dhe përfaqësuesit e ANAC-ut Paolo Giacomazzo dhe Filippo Romano theksuan rëndësinë e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në fushën e prokurimeve publike.
Prezantimi i Strategjisë së Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit, Planit të Veprimit dhe Fushatës për Armët e Vogla dhe të Lehta
Publishing date: 6 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
TIRANË, 6 qershor 2023 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PZHKB) në Shqipëri, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, prezantuan, sot, Strategjinë e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit, si edhe Planin Kombëtar 2023-2027 për Armët e Vogla dhe të Lehta (AVL). Në kuadrin e strategjisë, në këtë veprimtari u prezantua edhe fushata e parë ndërgjegjësuese për këtë temë. Armët e vogla dhe të lehta vijojnë të paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë publike në Shqipëri [1]. Strategjia dhe plani i veprimit synojnë të ulin kërkesën për armë të vogla e të lehta dhe keqpërdorimin e tyre në Shqipëri, përmes një sërë veprimtarish ndërinstitucionale, të bashkërenduara dhe gjithëpërfshirëse. Po ashtu, strategjia thekson rëndësinë e përfshirjes konstruktive dhe të dialogut me publikun. Në hapje të takimit, folën zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së Clarisse Pasztory, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit Rebani Jaupi dhe Menaxheri i Programit të PZHKB-së në Shqipëri Vladimir Malkaj. Në të morën pjesë përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin, Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konfliktit, Pikës së Kontrollit për AVL-të në Evropën Juglindore dhe Lindore (SEESAC), organizatave të shoqërisë civile, Këshillave Vendorë për Sigurinë Publike dhe të medias. Në bashkërendim dhe duke u mbështetur tek arritjet e “Strategjisë për AVL-të, municionet dhe kontrollin e lëndëve shpërthyese”, strategjia synon të ulë kërkesën për AVL dhe keqpërdorimin e tyre në Shqipëri. Prezenca e OSBE-së e hartoi strategjinë nëpërmjet një sërë takimesh këshillimore me aktorë si Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Komisioni Kombëtar për AVL-të, organizatat e shoqërisë civile, Këshillat Vendorë për Sigurinë Publike, grupet rinore, media, SEESAC dhe PZHKB-së në Shqipëri. Strategjia u zhvillua në bazë të studimeve mbështetur te të dhënat dhe përmban praktikat më të mira rajonale dhe ndërkombëtare të ndërgjegjësimit. Ndërsa PZHKB-ja fillon zbatimin e fushatës së ndërgjegjësimit, Prezenca e OSBE-së do të mbështetet mbi këto përpjekje duke vijuar me zbatimin e fushatave të tjera që përshkruhen në strategji. Strategjia dhe fushata e ndërgjegjësimit janë pjesë përbërëse e projekteve AVL që po zhvillohen nga Prezenca e OSBE-së dhe nga Zyra e PZHKB-së në Shqipëri në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe me Policinë e Shtetit. Projekti që zbatohet nga OSBE-ja financohet nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca. Projekti që zbatohet nga PZHKB-ja mundësohet falë kontributeve financiare të Gjermanisë, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Vendeve të Ulëta dhe Norvegjisë dhe lehtësohet nga Fondi i Partnerëve të Udhërrëfyesit të Kontrollit të AVL-ve në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian. [1] Sipas Pikës së Kontrollit për AVL-të në Evropën Juglindore dhe Lindore (SEESAC), në vitin 2022, në Shqipëri, pati 430 incidente nga armët e vogla dhe të lehta, që çuan në 32 humbje jete.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon vizitë kërkimore në universitetet e Oksfordit dhe të Kembrixhit
Publishing date: 5 qershor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Arsimi, Sundimi i ligjit
Nga 30 maji deri më 2 qershor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me Universitetin e Tiranës dhe Fakultetin e Drejtësisë, organizoi një vizitë kërkimore në dy universitete të shquara në Mbretërinë e Bashkuar e në mbarë botën: në Universitetin e Oksfordit dhe në Universitetin e Kembrixhit. Vizita kishte si qëllim rritjen e kapaciteteve dhe të burimeve të Fakultetit të Drejtësisë në ofrimin dhe menaxhimin e programit të kriminologjisë, si edhe njohjen me praktikat më të mira për ngritjen dhe punën e qendrave kërkimore universitare. Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Dorina Hoxha, pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale dhe ekipi i projektit të OSBE-së “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”. Ata u takuan me profesorë dhe drejtues të dy universiteteve, mes të cilëve me Kryetarin e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Oksfordit, Prof. Federico Varese, Drejtorin e Qendrës së Kriminologjisë të Oksfordit, Prof. Ian Loader dhe Drejtorin e Institutit të Kriminologjisë në Universitetin e Kembrixhit, Prof. Manuel Eisner. Ky shkëmbim do të kontribuojë edhe në ngritjen e Qendrës Kërkimore të Kriminologjisë, në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, e cila do të mundësojë kapacitetet e qëndrueshme kërkimore në fushën e kriminologjisë, do të ofrojë mbështetje të vijueshme për Programin Master në Kriminologji dhe do të kontribuojë në hartimin e politikave bazuar te të dhënat. “Qendra Kërkimore e Kriminologjisë do të rrisë kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin me të gjitha organet ligjzbatuese. Mbështetja e Institutit të Kriminologjisë të Universitetit të Kembrixhit do të na orientojë jo vetëm në metoda të reja të kërkimit shkencor, por edhe do të krijojë një bazë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha të caktuara të kriminalitetit”, tha Dekania Hoxha. “Përfshirja e studentëve më të mirë pranë kësaj qendre është prioritet për të nxitur kërkuesit e rinj në fushën e kriminologjisë”, shtoi ajo. Drejtuesja e Projektit të OSBE-së, Alba Jorganxhi, tha: “Universitetet e Oksfordit dhe Kembrixhit njihen në tërë botën për cilësinë e shkëlqyer në kërkim dhe mësimdhënie. Bashkëpunimi që krijuam do të ndihmojë në mbështetjen e një qasjeje shumëdisiplinore në parandalimin e krimit në Shqipëri, veçanërisht duke zhvilluar lidhjet mes drejtësisë penale dhe asaj sociale. Jemi shumë të kënaqur që mundësojmë këtë shkëmbim dhe jemi gati të mbështesim çdo bashkëpunim të ardhshëm mes universiteteve”. Prezenca e OSBE-së e organizoi vizitën si pjesë e projektit të saj jashtëbuxhetor “Ngritja e një Programi Master në Kriminologji”, i cili mbështetet financiarisht nga Byroja e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Programi Master, i nisur në dhjetor 2020, ofron një kurrikulum gjithëpërfshirës e të integruar, që mundëson karrierën në fusha të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri në identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit.
Kryesuesi i OSBE-së Osmani vizitoi Kosovën, bëri thirrje për dialog si rruga e duhur përpara
Publishing date: 26 maj 2023
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Chairmanship
PRISHTINË, 26 maj 2023 — Kryesuesi i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, përfundoi vizitën e tij njëditore gjatës së cilës u takua me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe vizitoi Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë nis edicionin e 5-të të programit për gazetarë të rinj ‘Media Fellowship’
Publishing date: 22 maj 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Liria dhe zhvillimi i medias, Rinia
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot edicionin e pestë të Programit ‘Media Fellowship’, iniciativë kjo vjetore që synon të zhvillojë kapacitetet e gazetarëve të rinj dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme. Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të vizitojnë organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd. Ata do të mësojnë nga afër për standardet e raportimit profesional, standardet e gazetarisë, raportimin cilësor, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës. "Programi ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së mbledh gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme, duke u dhënë atyre mundësi për t'u lidhur me gazetarë dhe ekspertë të njohur, si dhe duke i ndihmuar të zhvillohen në një ambient medial dinamik," tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Në rrugëtim e tyre drejt ngritjes profesionale, këta gazetarë të rinj do të formësojnë diskursin e ardhshëm publik dhe shpresoj se do të mbrojnë lirinë e shtypit dhe qasjen në informata të besueshme,” shtoi ai. Nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, ‘Media Fellowship’ kultivon talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore. Ai vazhdon të shërbejë si mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes gazetarëve nga komunitete të ndryshme, si dhe njohuritë e tyre për mënyrën se si funksionon media në rajon. Deri më tani, 38 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë kanë marrë pjesë në program dhe i janë bashkuar të diplomuarve nga programi ‘Media Fellowship’. Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Shkodrane Dakaj, BIRN; Unitet Berisha, T7; Vlera Shabani, Kallxo.com; Zoran Saviq, KOSSEV; Dushica Stankoviq, Radio Kontakt Plus; Urosh Nikoliq, RTV Mir; Donjeta Zeqiraj, Telegrafi.com; si dhe Armand Hoti, ATV. “Doja të isha pjesë e Programit ‘Media Fellowship’, sepse mendoj se bashkëpunimi me gazetarë të tjerë në këtë program mund të jetë i dobishëm në shumë mënyra. Mund të shkëmbehen ide, të merren vlerësime për punën si dhe të fitohen njohuri nga këndvështrime të ndryshme. Këto ndërveprime mund të nxisin kreativitetin, të frymëzojnë këndvështrime të reja në storiet tona, si dhe të na ndihmojnë të përsosim aftësitë tona të shkrimit,” tha Shkodrane Dakaj nga BIRN. “Pritjet e mia nga kjo vizitë vlerësuese në media në Prishtinë dhe Beograd janë që do të kem mundësinë të shoh dhe të vërej se si funksionojnë mediat e mëdha. Ajo që më gëzon veçanërisht është se do të kem mundësinë të ndjek ndoshta program drejtpërdrejt në ndonjë televizion me frekuenca kombëtare. Si gazetare, besoj se kjo përvojë do të ketë shumë domethënie për mua në punën dhe avancimin tim në të ardhmen, sepse do të kem mundësinë të bisedoj me kolegë që kanë shumë vite, madje edhe dekada punë prapa tyre,” tha Dushica Stankoviq, gazetare në Kontakt Plus Radio. “Të qenit pjesë e këtij programi do të më ndihmojë shumë në punën time të ardhshme. E di që do të takoj njerëz me të cilët do të bashkëpunoj në të ardhmen. E vlerësoj edhe faktin që do të takoj edhe kolegë me të cilët do të ndajmë ide të ndryshme për punën tonë, por edhe përvojat tona,” tha Unitet Berisha nga T7. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.