Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së fuqizon këshilltaret e reja në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, përmes Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor
Publishing date: 14 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Demokratizimi, Barazia gjinore
Rreth 45 këshilltare nga qarqet e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës morën pjesë në tri sesione informuese të posaçme të organizuara nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e Programit të Ekselencës së Grave në Nivel Vendor #WoMEP, gjatë dy javëve të para të dhjetorit 2023. Objektivi parësor i këtyre veprimtarive ishte forcimi i efikasitetit të grave këshilltare të sapozgjedhura. Duke i pajisur ato me mjetet e nevojshme, seancat informuese synuan t'i fuqizojnë përfaqësueset vendore, duke u mundësuar atyre të shkëlqejnë në rolet e tyre. Pjesëmarrëset u angazhuan në mënyrë aktive në diskutime për të identifikuar nevojat dhe pritshmëritë e tyre, duke kontribuar në planifikimin strategjik të aktiviteteve të WoMEP-it për vitin 2024. Gratë këshilltare, gjithashtu, u thelluan në përcaktimin e përparësive zhvillimore për qeverinë vendore dhe kuptimin e ndërlikimeve të buxheteve vendore dhe politikave fiskale. Që nga viti 2020, WoMEP qëndron si një nismë kryesore në përpjekjet e Prezencës për të nxitur barazinë gjinore në nivel vendor. Ky program novator është krijuar posaçërisht për të fuqizuar gratë këshilltare që shërbejnë në 61 këshillat bashkiakë të Shqipërisë, duke theksuar aspekte kritike si barazia gjinore, lidershipi dhe aftësitë menaxhuese. Qëllimi përfundimtar është të mbështesë dhe drejtojë gratë këshilltare, duke nxitur ndryshime të prekshme brenda këshillave bashkiakë.
Prezenca e OSBE-së thekson nevojën për progres me reformën zgjedhore në Shqipëri, në takimin e posaçëm të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet
Publishing date: 7 dhjetor 2023
Në veprimtarinë e tij të fundit si Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, më 7 dhjetor 2023, ambasadori Bruce Berton priti takimin e posaçëm të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, ku morën pjesë drejtues të ambasadave të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave ndërkombëtare në Shqipëri. Takimi u fokusua te rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023 dhe vizitës pasuese në Tiranë. Po ashtu, u diskutua për përpjekjet më të fundit lidhur me reformën zgjedhore dhe për nevojën për përparim të vazhdueshëm në këtë drejtim. “Shpresoj që drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive dhe grupimeve të ndryshme politike të ngrihen mbi ndasitë dhe interesat partiake e të ndërmarrin hapa konkretë drejt një reforme të njëmendtë”, tha ambasadori Berton. “Vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore përcakton se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë udhëzuesi kryesor për reformën zgjedhore. Rekomandimet i drejtohen një game të gjerë aktorësh, përfshirë ata politikë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, autoritetet shtetërore, institucionet publike e të tjerë dhe secili duhet të bëjë pjesën e vet”. Duke theksuar se të gjitha rekomandimet janë të rëndësishme dhe meritojnë vëmendje, ambasadori Berton vuri në dukje tri fusha kryesore që kërkojnë vëmendje të shtuar: Hetimi i plotë dhe i shpejtë i akuzave për shkeljet e rënda zgjedhore si blerje votash, presion ndaj votuesve dhe abuzim me burimet shtetërore për përfitime elektorale, së bashku me ndërgjegjësimin për këto dukuri negative; Garantimi i fshehtësisë së votimit nëpërmjet masave mbrojtëse efektive procedurale të zbatueshme nga autoritetet përgjegjëse kur flitet për parandalimin e frikësimit të votuesve, votimit në grup, në emër të përfaqësuesit, etj.. Trajtimi i disa çështjeve që lidhen me rolin e medias në zgjedhje, në veçanti:- shmangia ose të paktën kufizimi i përdorimit në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë/autoritetet shtetërore;- nxitja e një mjedisi mediatik të pavarur dhe vërtet të larmishëm, që është i lirë nga ndikimi politik/privat dhe që kufizon përqendrimin e pronësisë së medias. Grupi Ndërkombëtar i Punës për Zgjedhjet është një forum i krijuar me nismën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili mblidhet periodikisht për të shkëmbyer informacione dhe për të bashkërenduar qëndrimet dhe ndihmën për çështjet zgjedhore.
Misioni i OSBE-së mbledh përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe të Komunës së Prizrenit për të përforcuar dialogun dhe bashkëpunimin
Publishing date: 6 dhjetor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi sot një tryezë diskutimi me kryetarin Shaqir Totaj dhe përfaqësues të bashkësive fetare islame, ortodokse serbe, katolike, protestante ungjillore, hebreje dhe tarikatet në Prizren, për të mbështetur Komunën e Prizrenit në promovimin e dialogut dhe kultivimin e partneritetit me bashkësitë fetare. Institucionet lokale luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut, respektimin e parimeve të neutralitetit fetar, mosdiskriminimit dhe transparencës. Tryeza e sotme shërbeu si platformë për të diskutuar rreth shqetësimeve, për të gjetur gjuhë të përbashkët dhe për t’i adresuar bashkërisht nevojat e të gjitha bashkësive fetare në Prizren, si edhe është vazhdimësi e aktiviteteve të mëhershme të lehtësuara nga OSBE-ja që synojnë kultivimin e dialogut ndërfetar si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror. " Liria e fesë ose e besimit është e drejtë themelore e njeriut dhe në thelb të saj qëndron të kuptuarit se çdo shoqëri është e larmishme dhe se respektimi i dallimeve tona është e vetmja mënyrë për të bashkëjetuar në paqe”- tha ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Dialogu i vazhdueshëm ndërfetar, përfshirë përmes forumeve si ky i sotmi, është jetik për promovimin e kësaj të drejte të njeriut dhe për t’i thënë jo çdo lloj mostolerance,” shtoi ai. Kryetari Totaj vlerësoi lart raportin pozitiv të krijuar me bashkësitë e ndryshme fetare, që u ripohua nga përfaqësuesit fetarë të cilët theksuan bashkëpunimin efektiv me komunën. Si kryetari ashtu edhe udhëheqësit fetarë vlerësuan lart rolin e OSBE-së në lehtësimin e dialogut dhe mirëpritën sugjerimin e organizatës për organizimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen. Shkëmbimi dhe bashkëpunimi i rregullt ndërmjet bashkësive fetare kontribuon në avancimin e lirisë së fesë ose besimit dhe forcon bazën për bashkëjetesë paqësore. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë së avokuari me dhe mbështeturi autoritetet lokale që të kenë një rol aktiv në kultivimin e dialogut ndërfetar dhe krijimin e partneritetit me bashkësitë fetare.
Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës me trajnime për vlerësimin e nevojave individuale për viktimat e krimeve të urrejtjes
Publishing date: 1 dhjetor 2023
Mes 5 tetorit dhe 30 nëntorit 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka trajnuar gjithsej 142 policë nga komunitete të ndryshme për vlerësimin e nevojave individuale për viktimat e krimeve të urrejtjes.
Misioni i OSBE-së dhe Këshilli i Evropës mbajnë tryezë të rrumbullakët mbi përforcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e zbatimit të Konventës së Stambollit në Kosovë
Publishing date: 23 nëntor 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Kuvendin e Kosovës, organizoi më 22 nëntor 2023 në Prishtinë panelin e nivelit të lartë mbi rolin e Kuvendit të Kosovës në monitorimin e zbatimit të Konventës së Stambollit. Në paraprirje të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ky aktivitet mblodhi bashkë deputetë, përfaqësues të qeverisë, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare, dhe organizatave tjera aktive në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Nëpërmjet diskutimeve të strukturuara me kujdes, ekspertë dhe profesionistë të shquar të fushës i shqyrtuan modalitetet për përforcimin e instrumenteve institucionale për monitorim të zbatimit të Konventës së Stambollit, përfshirë këtu detyrimin për krijimin e një mekanizmi mbështetës institucional nga radhët e palëve kryesore të interesit dhe në nivele të ndryshme të qeverisjes. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, në fjalën e tij hapëse tha: “tema e fushatës së vitit 2023 është investimi në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Duke pasur këtë parasysh, Misioni është fokusuar në ngritjen e mekanizmave themelorë për bashkërendim në nivel qendror dhe lokal, se nëse nuk jemi më të koordinuar, nuk mund të jemi më efektivë. Për këtë lipset të angazhohet dhe rinia, pra të rinjtë dhe të rejat, si dhe përqendrim akoma më i madh në nevojat e veçanta të grupeve në pozitë të cenueshme dhe komuniteteve joshumicë.” Në fjalën e saj, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha: “pikë e rëndësishme ku besoj se kërkohet më shumë punë dhe më shumë vëmendje është ndërtimi i një forme, qoftë përmes Ministrisë apo në kuadër të Kuvendit, që të shërbejë për të mbledhur më shumë të dhëna që nuk do të fokusoheshin vetëm në shkaqet e dhunës, por do të përfshinin mënyrën në të cilën planifikojmë, si në parlament ashtu edhe qeverisjen e përgjithshme, dhe se si ky planifikim ndikon tek gratë në sfera të ndryshme të jetës.” Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave lipset angazhim i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës që i tejkalon vijat politike dhe ngërthen një qasje gjithëpërfshirëse institucionale. Gjithashtu, u theksua se Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij kanë rol thelbësor për suksesin e përpjekjeve në këtë drejtim. Nga ekzekutivi u kërkua që të krijojë pika kontakti me Kuvendin të Kosovës dhe t'i mbajë ligjvënësit të mirinformuar për përparimin dhe sfidat në zbatimin e Konventës së Stambollit. Në fund, u theksua që si legjislativi ashtu edhe ekzekutivi duhet ta përforcojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin me sektorin e shoqërisë civile. Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, me demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe në qendër të të gjitha aktiviteteve të tij ka fuqizimin, barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Misioni fokusohet në ofrim të mbështetjes për miratimin dhe zbatimin e një kornize jodiskriminuese ligjore dhe të politikave, dhe i kushton vëmendje të veçantë pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike.
Konkurs për shkrimin e hartimeve për studentet e universiteteve
Publishing date: 16 nëntor 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
What we do: Arsimi, Mirëqeverisja, Sundimi i ligjit
Pas përfundimit me sukses të master ligjëratave kundër korrupsionit, të organizuar në bashkëpunim me katër Universitetet vendore (Universiteti Sh. Kirili dhe Metodij në Shkup, Universiteti Goce Delçev në Shtip, Universiteti Sh. Kliment Ohridski në Manastir dhe Universiteti i Evropës Jug-Lindore në Tetovë) nga entuziazmi i shprehur i studentëve si dhe për inkurajimin e mëtejshëm të tyre në angazhimin anti-korrupsion, Misioni i OSBE-së në Shkup organizon një konkurs në shkrimin e hartimeve për studentët.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet SPAK-un dhe Gjykatat e Posaçme në forcimin e kapaciteteve hetuese dhe gjykuese
Publishing date: 27 tetor 2023
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 26 dhe 27 tetor 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”. Trajnimi u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie. Trajnimi synoi rritjen në tërësi të kapaciteteve të prokurorëve të SPAK-ut dhe të Gjykatave të Posaçme për të kryer hetime për korrupsionin e nivelit të lartë dhe grupet transnacionale të krimit të organizuar. Ai u përqendrua te rreziqet e lidhura me procedurat e prokurimit, risitë ligjorë, teknikat e posaçme në hetimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetet publik-privat, dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë trajnimit u diskutuan edhe raste studimore. Në fjalën e tij në hapje të trajnimit, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha: “SPAK u ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprave penale të kryera në kuadër të korrupsionit të funksionarëve publikë, ku përfshihen edhe ato në fushën e prokurimit publik. Qasja e re e ndjekur konsiston në rritjen e efektivitetit të hetimeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në fushën e hetimeve financiare. Nga ana tjetër, formulimi ligjor i veprave penale përkatëse mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme”. Trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës anti-korrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe shoqatat e shoqërisë civile që punojnë me sistemin gjyqësor, përmes aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e sistemit gjyqësor, me mbështetjen e saj të vijueshme në procesin e zhvillimit profesional. Prezenca do të vijojë të mbështesë konsolidimin dhe funksionimin e efektshëm të institucioneve të drejtësisë.