Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Fillon edicioni i gjashtë i Programit ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së në Prishtinë
Publishing date: 5 prill 2024
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Më 4 prill në Prishtinë filloi edicioni i gjashtë i Programit ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së në Kosovë, iniciativë vjetore e krijuar për të zhvilluar aftësitë e gazetarëve të rinj në peizazhin mediatik që po evoluon me shpejtësi dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme. Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të angazhohen me organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd nga data 13 deri më 18 maj 2024. Në fazën e dytë të programit, gazetarët do të vizitojnë Tiranën dhe Podgoricën në shtator, dhe do të takohen me mediat dhe institucionet atje. Gjatë programit, gazetarët e rinj do të fitojnë njohuri nga afër për standardet e raportimit profesional, etikën e gazetarisë, teknikat cilësore të raportimit, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës. Arlinda Osmanaj, zyrtare e programit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, tha se Programi ‘Media Fellowship’ shërben si mundësi e udhërrëfimit, që bashkon gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme dhe i pajis me mjete dhe rrjete thelbësore të nevojshme për sukses në peizazhin e sotëm dinamik të mediave duke lehtësuar lidhjet me gazetarë dhe ekspertë të shquar. “Duke qenë dëshmitare e rrugëtimeve të gazetarëve të shumtë, jam vërtet e lumtur të shoh këta gazetarë të rinj dhe të talentuar derisa trasojnë rrugën e tyre në këtë profesion të shenjtë. Me nisjen e tyre në rrugën e gazetarisë, këta individë janë gati për t’u bërë zëra shumë të rëndësishëm, duke formësuar kështu diskursin publik, duke mbrojtur lirinë e shtypit dhe duke mbrojtur qasjen në informacione të besueshme”, tha Osmanaj. Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Adelina Ahmeti, Kallxo.com; Antigonë Isufi, Prishtina Insight; Rrezon Gashi, KOHA; Arbrëshë Uka, Klan Kosova; Sandra Dobrić, Kontakt Plus; Edona Vuçitërna, Klan Kosova; Predrag Perović, Radio Kosovska Mitrovica; dhe Biljana Vlašković, KoSSev. Programi ‘Media Fellowship’, i nisur në vitin 2017, shërben si platformë për të kultivuar talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore barazinë gjinore në këtë fushë, dhe është një angazhim i Misionit në punën e tij për të mbështetur zhvillimin e mediave dhe për të nxitur një peizazh të larmishëm gazetaresk në Kosovë. Deri më tani, ka mirëpritur 46 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë, secili duke kontribuar me perspektiva dhe përvoja të veçanta në Programin ‘Media Fellowship’.
Prezenca e OSBE-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë tryezë teknike për përmirësimin e fushatave të informimit dhe edukimit të zgjedhësve
Publishing date: 3 prill 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Arsimi, Zgjedhjet, Roma dhe Sinti
Në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 2025 në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan, më 3 prill 2024, një seminar teknik mbi gjetjet dhe rekomandimet në lidhje me edukimin e zgjedhësve. Duke hapur veprimtarinë, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, tha: “Ka një sërë çështjesh që ngrihen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si nga ato më të fundit për zgjedhjet vendore, por edhe nga ato të mëparshmet, që nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime ligjore, të ligjit zgjedhor ose të ndonjë ligji tjetër, por më tepër zbatim të ligjit dhe, në disa raste, ndëshkim për moszbatimin e tij”. Duke e konsideruar fushatën e informimit dhe edukimit të zgjedhësve të zgjedhjeve të vitit 2023 ndër më të mirat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se ajo që është arritur deri më tani përbën një bazë shumë të mirë për të zhvilluar programe edukimi dhe informimi, veçanërisht për disa kategori zgjedhësish. Ai shtoi se institucione të tjera duhet të rrisin vëmendjen ndaj disa kategorive që, për arsye të ndryshme ligjore, nuk i qasen dot procesit të votimit. Tryeza shërbeu si një forum diskutimi për përfaqësuesit dhe ekspertët e KQZ-së, institucioneve të tjera shtetërore, shoqërisë civile dhe partive politike se si të përmirësohen fushatat informuese, edukuese dhe ndërgjegjësuese të zgjedhësve. Diskutimet u fokusuan te gjetjet e raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e programeve të edukimit të zgjedhësve, si edhe te gjetjet e grupeve të vëzhguesve vendas dhe përvoja nga vëzhgimet e organizatave të shoqërisë civile. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një strategjie më të gjerë për informimin e zgjedhësve, të përshtatur për nevojat specifike të kategorive të ndryshme të zgjedhësve, në kohë për zgjedhjet e ardhshme. Theks i veçantë iu vu përfshirjes së grupeve të nënpërfaqësuara, si pakicat kombëtare, personat me aftësi të kufizuara, përfshirë zgjedhësit me shikim të dëmtuar, gratë, të rinjtë, si edhe zgjedhësit që banojnë në zona rurale ose të largëta.
ODIHR hap misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut
Publishing date: 21 mars 2024
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights
What we do: Zgjedhjet
Shkup, 21 mars 2024 – Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi sot një mision vëzhgues të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe zgjedhjet parlamentare të 8 majit, pas ftesës së autoriteteve kombëtare.
Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për fuqizimin e partneritetit mes tyre
Publishing date: 20 mars 2024
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të rinovuar dhe fuqizuar partneritetin mes dy institucioneve. Memorandumi krijon kornizën e përgjithshme dhe jep udhëzime për bashkëpunimin mes Prezencës dhe Kuvendit lidhur me programin “Mbështetje për parlamentin e Republikës së Shqipërisë”. “Kuvendi do të vijojë të fuqizojë partneritetin e suksesshëm me Prezencën e OSBE-së për avancimin e reformave demokratizuese dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, nënvizoi Nikolla, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes. “Ne jemi krenarë që qëndrojmë si një partner i palëkundur i Kuvendit të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku në përmirësimin e cilësisë së legjislacionit, shërbimeve legjislative, përfaqësimit politik dhe mbikëqyrjes. OSBE-ja në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kuvendin në këto përpjekje”, tha Pasztory. Sipas memorandumit, Prezenca do të mbështesë Kuvendin në përmirësimin e funksioneve të tij legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese, si edhe administratën parlamentare në përmbushjen e funksioneve të saj, në mënyrë të efektshme dhe gjithëpërfshirëse. Prezenca dhe Kuvendi do të bashkëpunojnë edhe për të shtuar ndërveprimin e Kuvendit me qytetarët dhe për të krijuar e vënë në përdorim mjete novatore për një sistem legjislativ transparent, që përmirëson aksesin në ligjet e konsoliduara dhe arkivat parlamentare. Prezenca e OSBE-së është partnere afatgjatë e Kuvendit të Shqipërisë, mbështetur në mandatin e saj për të ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e institucioneve demokratike efektive dhe për të promovuar shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.
Sistem i ri me përdorimin e lazerit për parandalimin e përdorimit të paligjshëm të armëve
Publishing date: 18 mars 2024
Content type: Komunikatat për shtyp
Where we are: Misioni i OSBE-së në Shkup
SHKUP, 14 mars 2024 –Prezantimi i një sistemi të ri për menaxhimin e armëve të zjarrit të çaktivizuara, i mundësuar nga donacionet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, do të ndihmojë në parandalimin e keqpërdorimit të armëve dhe përmirësojë sigurinë në tërë Maqedoninë e Veriut.
Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Publishing date: 13 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Mirëqeverisja, Policimi, Sundimi i ligjit
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore. Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore. Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren. “Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së. Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës. Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.
OSBE-ja mbledh të rinjtë dhe autoritetet vendore në Shqipëri për të nxitur angazhimin për cilësi më të mirë të ajrit dhe shëndetit
Publishing date: 12 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Rinia
Rreth 70 anëtarë të Këshillave Rinorë dhe të autoriteteve vendore nga bashkitë Elbasan, Shkodër dhe Roskovec morën pjesë aktive në një seminar trajnimi gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunitetet e tyre. Objektivi kryesor i seminareve, që u zhvilluan nga 5 deri më 12 mars 2024, ishte edukimi i të rinjve pjesëmarrës për shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit dhe nxitja e tyre për të propozuar masa dhe nisma për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në sesionet e trajnimit pati prezantime nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, pikat fokale të bashkive dhe nga Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (ETMI). Akad. asoc. Besnik Bare, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti një sesion të veçantë, ku theksoi lidhjen kritike midis ndryshimit të klimës, ndotjes së ajrit dhe shëndetit publik. Anëtarët e Këshillave Rinor njohën rolin e tyre kyç si avokatë për mbrojtjen e mjedisit brenda territoreve të tyre dhe u angazhuan për të ndarë njohuritë e fituara gjatë seminareve me të rinjtë e tjerë, veçanërisht me ata nga grupet e cenueshme. Veprimtaritë ishin pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Zyrës së Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së me titull “Fuqizimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”, i cili, në Shqipëri, bashkërendohet nga Prezenca e OSBE-së, me ETMI-n si partner zbatues.