Prezenca e OSBE-së ndihmon institucionet e drejtësisë në Shqipëri në luftën kundër krimit kibernetik
Më 10 nëntor 2025, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mblodhi, në Durrës, 30 prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore nga Durrësi dhe Elbasani për një trajnim mbi temën “Krimi kibernetik, provat elektronike, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e të dhënave personale”.
Trajnimi kishte si qëllim rritjen e kapaciteteve të pjesëmarrësve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve kibernetike, duke siguruar njëkohësisht respektimin e parimeve të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së të dhënave në çdo fazë të procesit. Ai u përqendrua veçanërisht në zhvillimin e Procedurave Standarde të Operimit (PSO) për të udhëzuar prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore në trajtimin e provave dixhitale.
“Këto PSO nuk janë dokumente teknike abstrakte. Ato janë mjete praktike që ndihmojnë në sigurimin e integritetit të hetimeve, besueshmërisë së provave dhe mbrojtjes së të drejtave individuale”, tha Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit të Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut në Prezencën e OSBE-së.
Kursi u drejtua nga eksperti francez Franck Cormary, i cili udhëhoqi pjesëmarrësit në seanca teorike dhe praktike mbi kornizën ligjore për trajtimin e provave elektronike dhe hartimin e PSO-ve për kompjutera, servera, pajisje celulare, Internetin e Gjërave (IoT), mjedise cloud dhe kriptomonedha. Pjesëmarrësit u përfshinë edhe në ushtrime praktike mbi ekzaminimin forensik dhe në një simulim mbi aksesimin e portofolëve të ftohtë kripto.
Trajnimi u ndërtua mbi një nismë të Prezencës në vitin 2024, që përfshiu një sërë trajnimesh bazë mbi Konventën e Budapestit dhe aspektet praktike të provave elektronike për rreth 100 prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore në Shkodër, Lezhë, Korçë, Sarandë dhe Gjirokastër. Përvoja dhe rezultatet e atyre sesioneve shërbyen si bazë për zhvillimin e këtij trajnimi të përparuar, i cili synon krijimin e instrumenteve të unifikuara dhe praktike për profesionistët e drejtësisë.
Veprimtaria është pjesë e mbështetjes së vijueshme të Prezencës së OSBE-së për reformën në drejtësi dhe e punës së saj për të promovuar shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe integritetin institucional në përballje me krimin kibernetik dhe sfidat e epokës dixhitale.