Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim mbi hetimin e pastrimit të parave nëpërmjet kriptomonedhave
Më 23-24 qershor 2025, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim dy-ditor në Tiranë, me synim forcimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese për të luftuar pastrimin e parave nëpërmjet kriptomonedhave.
E drejtuar nga ekspertë të organeve ligjzbatuese italiane, sikurse Guardia di Finanza, Policia së Shtetit Italian dhe Arma e Karabinierëve, kjo veprimtari u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Ndërlidhëse të Policisë Italiane dhe ekspertin e Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi pranë Ambasadës Italiane në Tiranë.
Gjatë trajnimit, prokurorë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroria e Përgjithshme, së bashku me anëtarë të agjencive të ndryshme ligjzbatuese në Shqipëri, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Byronë Kombëtare të Hetimit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare të Shqipërisë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, përfituan trajnim praktik dhe njohuri të thelluara mbi metodat dhe mjetet hetimore thelbësore për gjurmimin dhe parandalimin e skemave të pastrimit të parave që përfshijnë kriptomonedhat.
Ky trajnim i specializuar u ngrit mbi bazën e përpjekjeve të mëparshme nga ana e Prezencës së OSBE-së, duke përfshirë këtu një takim shkëmbimi përvojash të organizuar nga Prezenca në dhjetor të vitit të kaluar në Ambasadën Italiane në Tiranë, takim i cili mblodhi me sukses prokurorë dhe hetues nga agjencitë ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë në Shqipëri, si dhe ekspertë nga agjencitë italiane ligjzbatuese për të diskutuar praktikat më të mira për adresimin e çështjes komplekse dhe në zhvillim të shpejtë të krimeve financiare që përfshijnë monedhat dixhitale.
Kjo nismë pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkufitar me autoritetet italiane, përfshirë këtu Ambasadën Italiane në Tiranë, për një luftë sa më efikase kundër pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare në epokën digjitale.