Kuvendi i Shqipërisë përuron portalin e e‑Legjislacionit me mbështetjen e OSBE‑së dhe Zvicrës
Më 23 qershor 2025, duke shënuar një moment të rëndësishëm për procesin ligjbërës në Shqipëri, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përuroi Portalin e e‑Legjislacionit, i konceptuar dhe realizuar në sajë të një projekti të Prezencës së OSBE‑së në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë zvicerane.
Portali, i zhvilluar në përputhje me standardin ndërkombëtar Akoma Ntoso, mundëson kërkimin dhe qasjen online në kohë reale në dokumente legjislative të konsoliduara. Ai përmirëson rrjedhën e punës brenda institucionit, mbështet një proces ligjbërës më efikas e transparent, si dhe siguron një vendimmarrje më të informuar të Kuvendit. Përurimi i portalit përbën gjithashtu një hap përpara drejt kalimit të plotë në sistemin e e‑Legjislacionit brenda vitit 2028.
Gjatë ceremonisë së përurimit, ku morën pjesë personalitete dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në procesin ligjbërës, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e vlerësoi nismën si një hap thelbësor drejt një procesi legjislativ të njësuar e të standardizuar në nivel kombëtar, ku Kuvendi luan rol drejtues. “Me këtë platformë, ne hapim një kapitull të ri për mënyrën se si hartojmë, diskutojmë dhe miratojmë ligjet. Kemi ndërtuar një mjet për modernizimin dhe digjitalizimin e procesit më të rëndësishëm parlamentar, ligjbërjes, si një kontribut për avancimin e transformimit demokratik të shoqërisë,” u shpreh ajo. “Portali është një përballje e drejtpërdrejtë dhe konkrete me sfidën e shndërrimit sa më të shpejtë të Kuvendit të Shqipërisë në një parlament me standardet e parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian”. Ajo e falënderoi Prezencën e OSBE‑së për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Kuvendin dhe Ambasadën e Zvicrës për mbështetjen dhe kontributin financiar.
“Me përqafimin e e-Legjislacionit, Shqipëria i bashkohet një numri vendesh gjithnjë në rritje që i kanë miratuar këto sisteme dhe pozicionohet si një lider rajonal në reformën digjitale legjislative,” u shpreh Ambasadori Michel Tarran, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. “Suksesi afatgjatë i procesit të e‑Legjislacionit varet nga përvetësimi dhe implementimi i tij i plotë nga Kuvendi, si një dëshmi e qartë e qëndrueshmërisë së kësaj reforme dhe integrimit të saj në strukturën institucionale të sistemit legjislativ të Shqipërisë,” shtoi ai.
Gjatë eventit u realizua dhe demonstrimi i funksionaliteteve të Portalit, i cili përmban aktualisht mbi 300 ligje të përpunuara sipas formatit Akoma Ntoso. Portali, edhe pse në fazë testimi, mund të aksesohet në adresën: e‑legjislacioni.parlament.al, ku përdoruesit mund të hulumtojnë funksionalitetet dhe të kontribuojnë në përmirësimin e tij të mëtejshëm. Zhvillimi i përmbajtjes do të vijojë nën drejtimin e Kuvendit me mbështetjen e Prezencës së OSBE‑së sipas nevojës.
Kjo nismë po realizohet në kuadër të projektit “Mbështetje për e-legjislacionin në Shqipëri” (2023–2025), financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Prezenca e OSBE‑së vazhdon ta mbështesë Kuvendin e Shqipërisë në fusha të tilla si ligjbërja, reforma legjislative, ngritja e kapaciteteve, proceset zgjedhore, angazhimi qytetar, barazia gjinore dhe qeverisja e mirë.