Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim të specializuar mbi analizën sektoriale të krimeve financiare për Policinë e Shtetit
Në mbështetje të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit të Shqipërisë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program trajnimi treditor mbi analizën sektoriale të krimeve financiare, nga 17 deri më 19 qershor 2025. Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar kapacitetet institucionale të Policisë së Shtetit, në veçanti të Sektorit Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Përgjithshme.
Trajnimi, që u drejtua nga dy ekspertë vendas, synoi forcimin e aftësive analitike dhe operacionale të Policisë së Shtetit në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare. Ai i pajisi 12 oficerë me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të konceptuar dhe hartuar analiza sektoriale në këtë fushë. Këto aftësi do të mbështesin planifikimin strategjik, hetimet e drejtuara nga inteligjenca dhe bashkëpunimin efektiv ndërinstitucional në luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe krimeve të tjera financiare.
Duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për ngritjen e kapaciteteve, ky trajnim kontribuon në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit dhe forcon angazhimin e OSBE-së për të promovuar një polici efektive dhe të drejtuar nga inteligjenca në Shqipëri.