Prezenca e OSBE-së dhe Universiteti i Tiranës forcojnë partneritetin për zhvillimin e medias

Ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u takua më 26 maj 2025 me Prof. Dr. Mark Markun, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, për të diskutuar rritjen e bashkëpunimit dhe çuarjen përpara të synimeve të Shqipërisë në fushën e lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes.
Duke marrë parasysh rolin e Markut si koordinator i platformës qeveri-media për Promovimin e Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur dhe përparimin e shpejtë të grupeve të punës, diskutimi kishte si qëllim edhe përmirësimin e bashkërendimit midis përpjekjeve të Prezencës për zhvillimin e medias dhe iniciativës së Dialogut të Hapur.
Grupet e punës të Dialogut të Hapur kanë trajtuar çështje kritike të medias, përfshirë sigurinë e gazetarëve, legjislacionin për median, vetërregullimin dhe kushtet e punës së profesionistëve të medias – fusha këto që janë, gjithashtu, prioritet i Prezencës. Ambasadori Tarran vlerësoi diskutimet konstruktive të zhvilluara nën platformën e Dialogut të Hapur dhe riafirmoi mbështetjen e Prezencës për ta plotësuar këtë punë përmes programit të saj të zhvillimit të medias dhe angazhimit me Parlamentin dhe institucionet e tjera.
Më tej, Prezenca dhe Universiteti do të bashkëpunojnë në tema kyçe si pavarësia e transmetuesit publik RTSH dhe transparenca në pronësinë e medias. Këto përpjekje do të ndihmojnë në hartimin e axhendës të Forumit vjetor për Zhvillimin e Medias, që organizon Prezenca.
Takimi trajtoi, gjithashtu, nisma të përbashkëta, të kaluara dhe aktuale, përfshirë projektin “Media në fokus”, Grupin e Partnerëve të Medias dhe programet rajonale të shkëmbimit për studentët e gazetarisë. Programet e shkëmbimit, veçanërisht, u japin studentëve ekspozim praktik në mjediset mediatike rajonale, duke përfshirë kuadrot rregullatore, mediat publike dhe shoqatat e gazetarisë në rajon. Ambasadori Tarran riafirmoi angazhimin e Prezencës për të mbështetur këto nisma si një mjet për forcimin e bashkëpunimit akademik dypalësh në edukimin gazetaresk.
Pas takimit, Ambasadori Tarran vizitoi Laboratorin e Integruar të Mediave Dixhitale të Universitetit, ku studentët prodhojnë podkaste dhe materiale të tjera mediatike, si pjesë e formimit të tyre akademik.