Prezenca e OSBE-së forcon kapacitetet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për teknikat hetimore dhe gjykimin e pastrimit të parave

Më 19 dhe 20 maj 2025, Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi një trajnim të specializuar për ndërtimin e kapaciteteve, me qëllim forcimin e aftësive të gjyqtarëve dhe të prokurorëve për hetimin dhe gjykimin e rasteve të ndërlikuara të pastrimit të parave. Rreth 70 gjyqtarë dhe prokurorë morën pjesë në trajnim, përfshirë 13 gjyqtarë dhe prokurorë nga Akademia e Drejtësisë në Prishtinë.
Gjatë seminarit dyditor, pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi aspekte kyçe të hetimeve financiare, teknikat e mbledhjes së provave dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar. Sesionet theksuan rëndësinë e kuptimit të flukseve financiare, strukturave të pronësisë përfituese dhe përdorimit efektiv të kontabilitetit në proceset gjyqësore.
Trajnimi përfshiu raste praktike studimore dhe diskutime ndërmjet kolegësh, të dizajnuara për të nxitur bashkëpunimin midis aktorëve të sistemit gjyqësor dhe për të promovuar praktikat më të mira në gjykimin e bazuar në prova. Programi, gjithashtu, trajtoi sfidat që paraqesin prirjet e reja në krimin financiar, përfshirë përdorimin e monedhave dixhitale dhe të strukturave financiare “offshore”.
“Shqipëria po fillon të shohë rezultate nga institucionet e saj të reja gjyqësore, por më shumë punë mund dhe duhet të bëhet. Hetimi dhe gjykimi i përmirësuar dhe i përforcuar i veprave penale të lidhura me pastrimin e parave është thelbësor për të garantuar përgjegjshmërinë, transparencën dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së.
Veprimtaria ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur reformën në drejtësi, përmirësimin e efektivitetit të drejtësisë penale dhe për të kontribuar për qeverisjen e mirë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Prezenca e OSBE-së ka qenë një partnere e qëndrueshme e sistemit gjyqësor, duke i ofruar mbështetje të vazhdueshme në procesin e zhvillimit profesional dhe ndërtimin e institucioneve. Prezenca do të vijojë të mbështesë konsolidimin dhe funksionimin efikas të institucioneve të drejtësisë.