Shkolla e Magjistraturës dhe Prezenca e OSBE-së forcojnë teknikat e hetimit dhe gjykimit të SPAK-ut dhe Gjykatës Speciale
Më 7 dhe 8 nëntor 2024, Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi një trajnim për hetimin dhe gjykimin e veprave penale që lidhen me prokurimin publik.
Trajnimi u hartua sipas fushave të interesit të shprehura nga prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilët ishin edhe përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie.
Programi i trajnimit synonte rritjen e kapaciteteve të përgjithshme të prokurorëve të SPAK-ut dhe gjykatave speciale për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të krimit të organizuar ndërkombëtar.
“Ky trajnim i Shkollës, i organizuar në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së, ndihmon magjistratët të pajisen me njohuri të specializuara në këtë fushë dhe të marrin vendime të informuara në çështjet që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet ose veprat penale në fushën e prokurimeve, në mënyrë që të mbështetet një gjyqësor jo vetëm i ditur, por edhe i aftë të respektojë parimet e transparencës, llogaridhënies dhe drejtësisë në proceset e prokurimit publik. Për më tepër, gjykimi i efektshëm i veprave penale në këtë fushë është jetik për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Shpresojmë që efektiviteti i trajnimit të shihet në ushtrimin e detyrave të tyre në punën e tyre të përditshme”, tha drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, në hapjen e aktivitetit.
“Përmirësimi dhe forcimi i hetimit dhe gjykimit nga organet e SPAK-ut për shkeljet e prokurimit publik është thelbësor për të garantuar llogaridhënien, transparencën dhe për të luftuar mosndëshkimin. Prezenca mbetet një mbështetëse e palëkundur e organeve të SPAK-ut kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht e gjykatave dhe prokurorisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim konsolidimin dhe funksionimin efikas të institucioneve të drejtësisë”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran.
Veprimtaria – e cila ishte vazhdimësi e trajnimit të vitit të kaluar – u fokusua në tema, si rreziqet që lidhen me procedurat e prokurimit, risitë ligjore, teknikat e veçanta në hetimin e veprave penale që lidhen me prokurimin publik, koncesionet/partneritetet publike-private, ndarja e praktikave më të mirave kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë dhe nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar. U diskutuan edhe raste studimore.
Trajnimi u zhvillua si pjesë e mbështetjes së Prezencës të OSBE-së për institucionet shqiptare për të çuar më tej zbatimin e reformës kundër korrupsionit dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet kryesore të drejtësisë dhe organizatat e shoqërisë civile.