Njësitë e qenve të policisë nga Ballkani Perëndimor shfaqin aftësitë në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit, në veprimtarinë rajonale organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Për herë të parë në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit organizoi një demonstrim rajonal të njësive të qenve të policisë (K9) në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit. Veprimtaria u zhvillua në parkun “Rinia”, më 7 qershor 2024 dhe ishte e hapur për publikun.
Veprimtaria rajonale mblodhi njësitë e qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Shkupi dhe Prishtina, të cilat realizuan demonstrime në disiplina të ndryshme si bindja, zbulimi i narkotikëve dhe i armëve të zjarrit. Përgjatë dy ditëve përpara demonstrimit, ekipet nga Ballkani Perëndimor realizuan një stërvitje të përbashkët në mjediset e Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit.
“Duke pasur parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballen vendet e rajonit, kjo veprimtari shërben si platformë për të gjitha juridiksionet e Ballkanit Perëndimor, për ekspertët dhe për komunitetin e donatorëve për të shkëmbyer njohuritë dhe aftësitë e njësive të qenve të policisë, duke përfituar njëkohësisht prej projekteve ndihmuese të OSBE-së. Ne besojmë fuqimisht se këto ndërhyrje do të zgjerojnë kapacitetet e qenve të policisë për zbulimin e armëve të vogla e të lehta”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Michel Tarran, në hapje të veprimtarisë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se, në 300 ditët e fundit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe ka sekuestruar 415 armë zjarri, si edhe një numër shumë më të madh armësh të ftohta.
“Kjo na dëshmon se kemi një shpërndarje dhe prezencë të madhe të armëve të vogla dhe të lehta te qytetarët dhe, prandaj, është koha të bashkojmë të gjitha forcat kundër këtij fenomeni, i cili na sjell gjithmonë ngjarje kriminale me pasoja. Kemi një dialog të shkëlqyer me OSBE-në, e cila është e fokusuar në rritjen e kapaciteteve për të kontrolluar dhe zvogëluar rrezikun e përhapjes dhe keqpërdorimit të armëve të vogla e të lehta, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe stabilitetin”, tha Balla.
Demonstrimi rajonal ishte ndër veprimtaritë e shumta të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Veprimtaria u organizua edhe me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor.
Edhe në të shkuarën, projekti i OSBE-së për armët e vogla e të lehta ka qenë pararendës për organizimin e tryezave rajonale të punës për njësitë e qenve të policisë.