Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë konferencën kombëtare për votimin nga jashtë vendit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizuan konferencën kombëtare të nivelit të lartë “Votimi nga jashtë vendit – rruga përpara”, më 19 tetor 2023. Konferenca shërbeu si një platformë diskutimesh se si Kuvendi mund të adresojë boshllëqet ligjore në Kodin Zgjedhor të identifikuara nga Gjykata Kushtetuese, si edhe për elementë të tjerë thelbësorë të votimit nga jashtë vendit.
Në të morën pjesë deputetë, partitë kryesore politike, institucionet shtetërore, përfaqësues të diasporës, aktivistë të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë.
“Votimi nga jashtë vendit është një çështje si parimore, edhe praktike. Shqipëria e ka adresuar pjesën e parë të çështjes, duke rregulluar në parim të drejtën e qytetarëve të saj, që jetojnë jashtë, për të votuar. Ajo që mbetet sfidë është si të sigurohet ushtrimi i duhur dhe i efektshëm i kësaj të drejte në sensin praktik, gjë që ka rezultuar e ndërlikuar. Koha është tani për të adresuar çështjet specifike sa i përket zbatimit të dakordësisë politike të arritur në vitin 2020”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, në hapje të konferencës. Ai shtoi se është thelbësore që çdo vendim – qoftë lidhur me boshllëqet ligjore apo rregullimet praktike – të dalë nga një konsensus me bazë të gjerë, mbështetur te një vlerësim i gjithanshëm dhe te konsultimet gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët, që nga ata politikë, te shoqëria civile dhe diaspora.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha: “Amendimi i Kodit Zgjedhor është hapi i parë dhe sine qua non për të mundësuar votimin nga jashtë në zgjedhjet e përgjithshme për kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025. Ndaj, për sa institucionalisht si KQZ e kemi të mundur dhe të lejuar, nxisim pozitën dhe opozitën të dakordësohen mbi ndryshimet e kërkuara të Kodit Zgjedhor, në lidhje me votimin nga jashtë. Është me rëndësi që rregullat mbi regjistrimin e votuesve nga jashtë, mbi mënyrën e votimit dhe mbi numërimin e votave, nxjerrjen e rezultatit dhe përllogaritjen e mandateve bazuar në këtë rezultat të miratohen sa më shpejt, mundësisht brenda këtij viti, ashtu sikurse Gjykata Kushtetuese ka vendosur”.
Në hapje të veprimtarisë folën edhe ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian ambasadori Luigi Soreca dhe këshilltarja ekonomiko-politike e ambasadës së SHBA-së Allison Dyess.
Ekspertë të sjellë nga Prezenca e OSBE-së dhe International IDEA i njohën pjesëmarrësit me standardet dhe modelet lidhur me regjistrimin e zgjedhësve që jetojnë jashtë, procesin e votimit dhe numërimit dhe përfaqësimin e zgjedhësve nga jashtë vendit.
Konferenca ishte veprimtaria e parë e zhvilluar në kuadër të projektit “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, i cili financohet nga qeveritë e Suedisë, Zvicrës dhe Polonisë.
Prezenca e OSBE-së do të mbështesë Kuvendin, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet e tjera shtetërore dhe aktorët politikë për përgatitjen e kornizës ligjore dhe administrative për zbatimin e suksesshëm të votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.