Prezenca e OSBE-së promovon integrimin e perspektivës gjinore në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë
Më 1 dhe 2 korrik, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti organizimin e seminarit përmbyllës me Aleancën e Grave Deputete dhe Nënkomisionin për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, me rastin e përfundimit të legjislaturës së tanishme.
Në këto katër vite legjislaturë, puna e organeve parlamentare, në bashkëpunim të ngushtë me Prezencën, ka bërë të mundur arritjen e disa zhvillimeve pozitive për përparimin e çështjeve gjinore jo vetëm në Kuvend, por edhe në mbarë shoqërinë shqiptare. Arritja kryesore e punës së përbashkët është miratimi i Program Veprimit “Për një Kuvend me ndjeshmëri gjinore” nga organi drejtues i Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve, më 29 qershor 2020.
Sihana Nebiu, Shefja e Departamentit të Demokratizimit si dhe Përgjegjësja Kryesore për Çështjet Gjinore pranë Prezencës së OSBE-së, theksoi vëmendjen që i kushton Prezenca dhe rëndësinë që ka për të mbështetja e përpjekjeve për barazi gjinore dhe integrimin e perspektivës gjinore. Barazia gjinore do të jetë një nga përparësitë e Prezencës edhe gjatë legjislaturës së ardhshme.
Prezenca ka mbështetur dhe bashkëorganizuar gjatë këtyre viteve veprimtari të ndryshme me Aleancën e Grave Deputete dhe Nënkomisionin për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave me synim promovimin e dialogut ndërpartiak me në qendër gratë deputete në veçanti dhe gratë shqiptare në përgjithësi. Prezenca dhe Kuvendi vazhdojnë të punojnë së bashku si partnerë për promovimin e agjendës së barazisë gjinore dhe integrimit të perspektivës gjinore, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe të të drejtave të grave në kuadrin e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar”, mbështetur nga Prezenca dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).