Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar rreth parandalimit dhe hetimit të krimeve kibernetike
Më 29 qershor 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi në format hibrid një seminar mbi “Parandalimin dhe Hetimin e Krimeve Kibernetike”, në mbështetje të përpjekjeve të vendit në luftë kundër krimeve kibernetike.
Dixhitalizimi i shpejtë dhe progresiv i shoqërisë, i cili shënoi një rritje të papritur gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ka krijuar dobësi të reja që mund të shfrytëzohen nga keqbërësit kibernetikë.
Merrnin pjesë në këtë veprimtari Ambasadori Vincenzo del Monaco, zëvendësministri i brendshëm Besfort Lamallari, drejtues të Policisë së Shtetit Shqiptar, Akademisë së Sigurisë, Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Drejtorisë për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shqiptar, si dhe përfaqësues të organeve ligjzbatuese nga Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova, së bashku me Atashetë Policorë të misioneve diplomatike të akredituara në vend dhe zyrtarë nga Misionet e OSBE-së në rajon.
Seminari ofroi një mundësi të mirë për ekspertët e këtij sektori që të njiheshin me zhvillimet më të fundit në fushën e parandalimit të krimit kibernetik. Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre rreth dokumenteve strategjike që përcaktojnë përparësitë dhe politikat për trajtimin e këtij fenomeni, si dhe që çojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimin e krimeve kibernetike. Seminari u përqendrua gjithashtu në shkëmbimin e përvojave mes organeve ligjzbatuese të rajonit, duke ofruar një mundësi të mirë për oficerët e ndërlidhjes së policisë të akredituar në Tiranë që të paraqitnin përvojën e tyre në lehtësimin e hetimeve të krimeve kibernetike të iniciuara nga autoritetet e tyre përkatëse.