Prezenca e OSBE-së organizon takim për performancën e gjashtë Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një takim online, më 4 mars 2021, për të paraqitur gjetjet e një raporti vlerësimi për Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike (KVSP) në gjashtë bashki.
KVSP-të janë struktura vendore, ku mblidhen institucione shtetërore, organizatat e shoqërisë civile dhe bashkësitë fetare për të diskutuar e përmirësuar bashkëpunimin shuminstitucional dhe për të trajtuar çështjet e lidhura me sigurinë publike vendore. Ata janë të pranishëm në të 61 bashkitë e Shqipërisë dhe tre të parët u krijuan me nismën e Prezencës së OSBE-së, në vitin 2016.
“Qasja e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike qëndron në zemër të angazhimeve të OSBE-së, pasi përfshin një gamë të gjerë vlerash, që OSBE-ja i mbështet fuqimisht dhe i promovon vazhdimisht për të gjitha Shtetet pjesëmarrëse: gjithëpërfshirjen, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Vincenzo Del Monaco.
Raporti, i përgatitur nga një ekspert i jashtëm, vlerëson funksionimin dhe efektshmërinë e KVSP-ve në Elbasan, Cërrik, Librazh, Lushnjë, Vlorë dhe Pukë – të cilat Prezenca i mbështeti në vitet 2018 dhe 2019 për forcimin e kapaciteteve – si edhe ofron rekomandime për përmirësime.
Sipas raportit, Këshillat nevojitet ta rregullojnë më tej punën e tyre dhe të garantojnë pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme të të gjithë aktorëve; të rritin njohuritë e anëtarëve të tyre për rolin dhe bashkërendimin në menaxhimin e krizave, katastrofave natyrore dhe sfidave të tjera publike. Po ashtu, Këshillat duhet të zhvillojnë mjete për të monitoruar planet e tyre të veprimit, si edhe të eksplorojnë mënyra për të rritur perceptimin dhe mbështetjen e publikut për sigurinë vendore.
Raporti ofron edhe udhëzime për rolin e Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike në menaxhimin e krizave, si edhe një paketë trajnimi për dy KVSP të tjerë, që do të mbështeten nga Prezenca këtë vit.
Në takim folën edhe zëvendësministrja e Brendshme dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko, e cila ndihmoi në ngritjen e KVSP-ve të para kur ishte punonjëse e OSBE-së, si edhe përfaqësues të bashkive të ndryshme.
Në vitin 2021, Prezenca e OSBE-së do të mbështetë KVSP-të e Korçës dhe të Beratit përmes trajnimeve të posaçme, fushatave ndërgjegjësuese për dhunën në familje dhe fuqizimin e të rinjve në çështjet e sigurisë.