Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Universiteti i Tiranës paraqesin Masterin Ekzekutiv në Kriminologji
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Universiteti i Tiranës paraqitën programin e Masterit Ekzekutiv në Kriminologji, i pari i këtij lloji në Shqipëri, në një veprimtari të organizuar më 14 dhjetor 2020.
Programi master fillon pas një pune intensive mbi dyvjeçare, e cila u përqendrua në zhvillimin e strukturës dhe të kurrikulës së programit, si edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe në krijimin e burimeve në Universitetin e Tiranës për menaxhimin e tij. Njëzet e pesë studentë do të bëhen pjesë e masterit në vitin e parë të tij.
“Masteri ekzekutiv në kriminologji ka potencialin të sjellë një risi në vend në këtë fushë, duke u shkëputur nga përqasja klasike ndaj krimit, e cila bazohet te hetimi dhe ndëshkimi, e duke e kaluar vëmendjen dhe përpjekjet drejt një përqasjeje më gjithëpërfshirëse”, tha Kryetari i Prezencës, Vincenzo Del Monaco.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, tha: “Shqipëria kishte një vakum në programet universitare lidhur me përgatitjen e ekspertëve në kriminologji dhe, falë mbështetjes së Prezencës së OSBE-së, u bë i mundur studimi i nevojave në këtë fushë dhe përgatitja për herë të parë e këtij masteri ekzekutiv. Kam shpresën se ky master i ri do të jetë një vlerë e shtuar në kualifikimin e burimeve njerëzore dhe krijimin e politikave penale akoma më efikase”.
Në veprimtari folën edhe rektori i Universitetit të Tiranës dhe dekanët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Shkencave Sociale.
Përmes programit master, Prezenca synon të përmirësojë kapacitetet kërkuese të profesionistëve, akademikëve dhe politikëbërësve në Shqipëri për të mbështetur identifikimin e shkaqeve rrënjësore të krimit. Programi do t’u mundësojë studentëve eksplorimin e marrëdhënieve mes krimit, drejtësisë dhe shoqërisë, në një kontekst krahasues, si edhe promovimin e drejtësisë restauruese për viktimat dhe përgjigjet me në qendër viktimat.
Projekti “Për ngritjen e programit master në kriminologji” zbatohet nga Prezenca e OSBE-së me mbështetjen financiare të Misionit të SHBA-së në OSBE dhe të ambasadës britanike në Tiranë. Ai zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.