Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnon anëtarët e Forumit Kombëtar Rinor të të Verbërve për aftësitë organizuese dhe planifikimin strategjik
Njëzet të rinj nga Forumi Kombëtar Rinor i të Verbërve morën pjesë në një veprimtari të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, që synonte rritjen e aftësive të tyre lidhur me organizimin dhe planifikimin strategjik. Trajnimi u zhvillua nga 31 tetori deri më 4 nëntor 2020, në Tiranë.
Forumi është një shoqatë kombëtare e të rinjve me aftësi të kufizuara në shikim, e cila është ngritur për t’u mundësuar atyre të punojnë së bashku për të mbrojtur të drejtat, për të kapërcyer përjashtimin social dhe për të përfaqësuar interesat e tyre në fushat e pjesëmarrjes publike, arsimit dhe hyrjes në tregun e punës.
Trajnimi trajtoi nevojën për strukturimin e punës së të rinjve, si edhe për përdorimin e metodave për vlerësimin e objektivave bazuar te performanca. Përmes punës në grup dhe të mësuarit ndërveprues, anëtarët e Forumit u nxitën të hartojnë misionin dhe vizionin e tyre, të identifikojnë objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë, si edhe të arrijnë në një kuptim të përbashkët të përparësive dhe sfidave të organizatës së tyre rinore.
“Pjesëmarrja e të rinjve me aftësi të kufizuara në shikim në të gjitha aspektet e jetës publike dhe politike është e mundur vetëm nëse ata janë plotësisht të vetëdijshëm për aftësitë e tyre personale dhe për kapacitetet e tyre të përbashkëta për t’u organizuar dhe për të vepruar si një e tërë. Organizimi dhe planifikimi i mirë janë thelbësorë që të rinjtë me aftësi të kufizuara të mund ta drejtojnë vetë jetën e tyre”, u shpreh kryetari i Forumit, Jonit Ferhati.
Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur Forumin Kombëtar Rinor të të Verbërve që prej vitit 2017 për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe për të fuqizuar anëtarët e tij të marrin pjesë në zgjedhje.
“Fokusi i punës së këtij viti ishte të mbështesnim Forumin në përvijimin e pikave kryesore të planit të tij strategjik dhe operacional. Kjo do të çojë në rritjen e aktivizmit të Forumit në nivelin vendor dhe qendror. Një strategji e re me qëllime dhe objektiva të përbashkët, që nga komunikimi me publikun, anëtarësimet e reja dhe mbajtja e anëtarëve, do ta ndihmojë Forumin të bëhet zëri i të rinjve me aftësi të kufizuara në shikim në mbarë Shqipërinë”, tha Sihana Nebiu, drejtuese e Departamentit të Demokratizimit në Prezencën e OSBE-së.
Mbështetja që Prezenca u jep të rinjve me aftësi të kufizuara në shikim është pjesë e përpjekjeve të saj më të gjera për të përkrahur qytetarinë aktive dhe për të fuqizuar shoqërinë civile dhe të rinjtë në Shqipëri.