Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvillon veprimtari në mbështetje të themelimit të Programit të Masterit në Kriminologji pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës
Më 28 dhe 29 maj 2020, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, organizuan një seminar një seminar me stafin akademik të Programit të ri të Masterit në Kriminologji që po themelohet në të njëjtin Fakultet, me synimin për të përmirësuar aftësitë kërkimore të profesionistëve, akademikëve dhe politikë-bërësve në vend për të identifikuar shkaqet thelbësore të krimit.
Profesorja Kimberly McCabe, eksperte ndërkombëtare e kriminologjisë, nga Universiteti i Linçburgut, Virxhinia, SHBA, u ftua të ndante përvojën e saj me rreth 30 akademikë nga Fakulteti i Drejtësisë dhe ai i Shkencave Sociale. Po ashtu, më 20 maj 2020, Profesorja McCabe mbajti edhe një leksion të hapur në lidhje me Viktimologjinë, ku morën pjesë rreth 90 studentëve të Programit të Masterit në Drejtësi Penale, nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës.
Veprimtaria kishte për synim që të vlerësonte nevojat dhe sfidat e pedagogëve, duke iu ofruar pjesëmarrësve konceptet, mjetet dhe aftësitë në lidhje me Programin e ri të Masterit në Kriminologji. Po ashtu, synonte që të ndihmonte për hartimin e sesioneve të ardhshme trajnuese për të njëjtin grup studentësh dhe akademikësh, që planifikohen të zhvillohen në periudhën shtator - tetor 2020.
“Strategjitë e mirë-planifikuara të parandalimit të krimit, jo vetëm që parandalojnë krimin dhe viktimizimin, por gjithashtu promovojnë sigurinë e komunitetit dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve”, tha Claudio Pala, Shefi i Departamentit të Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut pranë Prezencës së OSBE-së.
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Artan Hoxha, tha: "Ne jemi përfshirë që të gjithë në procesin e krijimit të këtij masteri, hapja e një programi të ri është një impenjim i vështirë, por kemi pasur mbështetje të vazhdueshme nga OSBE dhe vetë stafi akademik. Falë përgatitjes së gjatë dhe të vazhdueshme do ta realizojmë me sukses këtë program".
Professor Vasilika Hysi, një ndër ekspertet më me përvojë të Kriminologjisë dhe pedagoge me kohë të pjesshme, ndau me të pranishmit përgjegjësinë që ndjente për hapjen e këtij programi të Masterit: “Unë ndiej përgjegjësi për këtë program, sepse e kam ëndërruar për të prej njëzet vitesh”.
Një përmbledhje artikujsh kërkimorë me tema të larmishme, sikundër mbrojtja e viktimave të veprës penale, roli i shtetit në trafikimin e personave, faktorët që ndikojnë në sjelljen kriminale të adoleshentëve dhe ndikimin e masave alternative të dënimit penal mund të gjendet duke klikuar në linkun e mëposhtëm: https://www.osce.org/presence-in-albania/453195
Veprimtaritë në fjalë u zhvilluan në kuadrin e projektit të lartpërmendur, i cili mbështetet financiarisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Projekti po zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe me mbështetjen e Fakultetit të Shkencave Sociale të të njëjtit Universitetit dhe të Ministrive të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme.