Prezenca e OSBE-së mbledh institucionet shqiptare për të rritur luftën kundër krimit mjedisor
Krimi mjedisor në Shqipëri u rrit gjatë katër muajve të parë të 2020-s, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas raportimeve të policisë.
Me qëllimin për të ndihmuar institucionet e Shqipërisë që të luftojnë më mirë krimin mjedisor, edhe në periudha krize si COVID-19, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit mundësuan një takim online të Grupit Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor, Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe veprimtarëve të shoqërisë civile, më 4 maj 2020, në Tiranë.
Pjesëmarrësit diskutuan për nevojat e institucioneve, veçanërisht në këtë periudhë dhe shqyrtuan disa raste të paraqitura nga organizatat e shoqërisë civile dhe media lidhur me importin e mbetjeve të rrezikshme, derdhjet e naftës dhe hidrokarbureve, gjuetinë e paligjshme dhe prerjen e paligjshme të pyjeve.
Pjesëmarrësit ishin në një mendje për nevojën e një akti ligjor, që do të qartësonte rolin e inspektorateve të ndryshme që merren me krimin mjedisor dhe, në veçanti, rolin e pushtetit vendor. Kjo nevojë u theksua pas ndryshimeve në Kodin Penal, në tetor 2019, ku trafikimi i mallrave të ndaluara, menaxhimi jo i duhur i mbetjeve dhe transporti i mbetjeve ilegale u bënë vepra penale.
Për të mbështetur autoritetet vendore, Prezenca hartoi një udhëzues për kompetencat e autoriteteve vendore në parandalimin e krimit mjedisor. Ajo do të vijojë të punojë ngushtë me të gjithë aktorët në këtë fushë.
Prezenca e OSBE-së është partnere e institucioneve shqiptare në luftën e tyre kundër krimit mjedisor.
Grupi Ndërinstitucional kundër Krimit Mjedisor, ku marrin pjesë 11 institucione, u krijua në vitin 2015, me mbështetjen e Prezencës. Po ashtu, Prezenca dha kontribut në ndryshimet e Kodit Penal për krimin mjedisor, rriti ndërgjegjësimin dhe të kuptuarit e çështjeve të krimit mjedisor, si edhe kapacitetet e autoriteteve të Shqipërisë për t’i trajtuar ato.