Prezenca e OSBE-së viziton pika të kalimit kufitar në Shqipëri për të vlerësuar situatën në kushtet e COVID-19-s
Më 22 dhe 29 prill 2020, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vizitoi pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Kakavijës për të vlerësuar situatën e përgjithshme, si edhe masat e ndërmarra për shkak të pandemisë #COVID19.
Kapshtica dhe Kakavija janë dy ndër pikat kufitare kryesore nga ku bëhet riatdhesimi i shtetasve në situatën e tanishme. Takime të zgjeruara u mbajtën me drejtorët rajonalë të kufirit dhe migracionit si edhe me komandantët e pikave. Po ashtu, Prezenca vizitoi edhe hotelet ku janë karantinuar qytetarët e riatdhesuar.
Qëllimi i takimeve ishte vlerësimi i gjendjes së përgjithshme në pikat e kalimit kufitar dhe se si punonjësit e policisë kufitare po përballen me pandeminë, sfidat me të cilat ndeshen ata dhe nevojat e tyre. U diskutua edhe për bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit që veprojnë në kufi, si doganat, për lehtësimin e përpunimit të kamionëve.
Drejtorët rajonalë e informuan Prezencën për sfidat e tanishme dhe ato të pritshme me hapjen e kufijve. Ata shprehën shqetësim për rigjallërimin e migracionit të parregullt.
Bashkëpunimi rajonal bëhet akoma më i rëndësishëm në kohë krize. Drejtorët e dy pikave të kalimit kufitar konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira me vendet fqinje në luftën kundër veprimtarive të paligjshme dhe në shkëmbimin e informacionit.
Prezenca do të zhvillojë vizita të tilla edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, gjatë javëve në vijim.
Pas shfaqjes së pandemisë në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së po përgatitet për të ndihmuar Policinë e Shtetit – veçanërisht Policinë Kufitare dhe të Migracionit – me mjete të mbrojtjes personale.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të gjatë me Policinë Kufitare dhe të Migracionit dhe punon me të për të zhvilluar protokolle të përbashkëta dhe qendra të bashkëpunimit policor. Ajo ofron edhe rritje të kapaciteteve për një kontroll më të mirë të kufijve të Shqipërisë ndaj veprimtarive kriminale si trafikimi i drogës, trafikimi i personave, migrimi i parregullt dhe luftëtarët e huaj terroristë.