Trajtimi i trafikimit të fëmijëve dhe i mbrojtjes së tyre në Shqipëri
"Synimi ynë kryesor është të luftojmë trafikimin e personave dhe të kontribuojmë për t'i dhënë fund këtij fenomeni të tmerrshëm," fillon Juliana Rexha, këshilltare kundër trafikimit në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
Ajo sqaron se Prezenca bashkëpunon me organizatat vendase për të siguruar një bashkërendim efektiv dhe për të shmangur mbivendosjen e përpjekjeve dhe përsëritjen e masave në luftën kundër trafikimit të personave.
Lufta kundër trafikimit të personave deri në ditët e sotme
“Prezenca e OSBE-së ka zhvilluar dhe zbatuar projekte, që synojnë të luftojnë trafikimin e fëmijëve”, thotë Juliana. “Puna jonë bazohet në parimin e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, në mbështetje të hartimit të politikave dhe nismave ligjore, duke siguruar bashkërendimin ndërinstitucional. Po ashtu, ne ndihmojmë në ndërtimin e kapaciteteve për të mbrojtur viktimat e mundshme dhe të identifikuara të trafikimit”.
Juliana thotë se një nga përparësitë e Prezencës është adresimi i problemit të shfrytëzimit të fëmijëve për të lypur, si një formë e papranueshme e shfrytëzimit dhe trafikimit të tyre. Puna e Prezencës përqendrohet në rritjen e kapaciteteve të njësive së mbrojtjes të fëmijëve, policisë dhe punonjësve socialë, për të garantuar përgjigjen e shpejtë ndaj nevojave të veçanta të fëmijëve që detyrohen të lypin.
“Ne ofrojmë mbështetje për Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHDMF) dhe Bashkinë e Tiranës për të bashkërenduar punën e njësive vendore për mbrojtjen e fëmijëve, në funksion të identifikimit të fëmijëve viktima të trafikimit dhe atyre që i nënshtrohen lypjes së detyruar”, thotë ajo
Bashkërendimi midis institucioneve sjell ndryshimin
Në mars të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave, me mbështetjen teknike të Prezencës, miratoi një vendim për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik, duke përcaktuar procedurat për identifikimin nga Inspektorati i Punës të rasteve të punës së fëmijëve dhe referimin e këtyre rasteve te Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve.
“Për të forcuar zbatimin e këtij vendimi, Prezenca e OSBE-së mbështeti Inspektoratin Shtetëror të Punës për të hartuar një metodologji, e cila do të përdoret për trajnimin e inspektorëve të punës në monitorimin e punës së fëmijëve dhe bashkërendimin me institucionet e duhura, si policia dhe punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve, kur ekzistojnë dyshime për shfrytëzimin e punës së fëmijëve”, thotë Irida Qosja, shefe e marrëdhënieve të punës në Inspektoratin Shtetëror të Punës në Shqipëri.
Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare për Çështjet e Luftës kundër Trafikimit të Personave, thotë se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet fort një qasje të gjithanshme bazuar në të drejtat e njeriut, në luftën kundër trafikimit të personave.
“Falë ekspertizës dhe mbështetjes së Prezencës, ne kemi qenë në gjendje të çojmë përpara angazhimet tona kundër trafikimit, duke iu kushtuar vëmendjen e duhur grupeve më të rrezikuara, veçanërisht fëmijëve.”
Nën moton ‘Të vëmë në jetë angazhimet tona, së bashku’, Kryesia shqiptare e OSBE-së për vitin 2020 përqendrohet në forcimin e sigurisë kundër kërcënimeve dhe sfidave të kohës, përfshirë trafikimin e personave.
Rovena Voda zëvendësministre e Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare për Çështjet e Luftës kundër Trafikimit të Personave
Çfarë thonë statistikat?
Gjatë vitit 2019, Prezenca filloi një analizë të thelluar të rasteve të trafikimit të fëmijëve dhe fëmijëve në rrezik trafikimi. Gjetjet e kësaj analize do të pasqyrohen në një raport mbi profilet dhe tipologjinë e trafikimit të fëmijëve dhe fëmijëve në rrezik trafikimi, i cili do të botohet gjatë vitit 2020.
“Raport do të paraqesë faktorët e rrezikut që ndikojnë në gjasat dhe gjendjen e pafavorshme që i ekspozon fëmijët ndaj rrezikut për t’u bërë viktima të trafikimit,” thotë Juliana.
Gjithashtu, Prezenca ka mbështetur hartimin e një plani kombëtar të veprimit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik, i cili u nënshkrua nga ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, në tetor 2019.
“Plani kombëtar plotësohet nga shtatë plane vendore të veprimit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik, ku përshkruhet zinxhiri i punës së institucioneve përgjegjëse për identifikimin dhe referimin si dhe për ndihmën e nevojshme për fëmijët që kanë qenë objekt i shfrytëzimit ekonomik”, thotë zëvendësministrja Voda.
Trajnimet dhe nxitja e zhvillimit
Duke qenë e vetëdijshme se dukuria e trafikimit të fëmijëve ngërthen aspekte të ndërlikuara dhe në ndryshim të vijueshëm, Prezenca ka vendosur në qendër të veprimtarive të saj trajnimin e profesionistëve, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë vendor.
“Sigurimi i një qasjeje që bazohet te të drejtat e njeriut, në të gjitha fazat e komunikimit midis një personi të trafikuar dhe zyrtarëve shtetërorë, është një parakusht madhor për hetimin dhe procedimin efektiv të rastit”, thotë Juliana. “Gjatë dy viteve të fundit, Prezenca ka mbështetur trajnimin e rreth 100 gjyqtarëve dhe prokurorëve të rretheve për të drejtat e viktimave të trafikimit në procesin gjyqësor. Ne kemi hartuar një udhëzues për garantimin e interesit më të lartë të fëmijëve viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit në proceset penale.”
Në vitin 2019, Prezenca organizoi seminare trajnimi shumëdisiplinore për 57 punonjës për mbrojtjen e fëmijëve dhe efektivë të policisë së Tiranës, duke mbështetur në të njëjtën kohë edhe trajnimin në procesin e punës për punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve lidhur me mbështetjen sociale dhe psikologjike për fëmijët viktima të trafikimit.
Mbrojtja e fëmijëve
Fëmijët e përfshirë në flukset migratore, veçanërisht të miturit e pashoqëruar, të cilët janë veçanërisht të ekspozuar ndaj trafikimit dhe shfrytëzimit seksual, kanë qenë, po ashtu, pjesë kryesore e punës së Prezencës.
“Vitin e kaluar, ne bashkëpunuam me UNHCR-në për të mbështetur autoritetet në hartimin e procedurave të reja për kontrollin paraprak të migrantëve të parregullt”, thotë Juliana. “Synimi ishte të përmirësohej roli i njësive për mbrojtjen e fëmijëve gjatë gjithë procesit të identifikimit, referimit dhe ndihmës për fëmijët migrantë.”
Me partnerët e saj, Prezenca e OSBE-së ka punuar përkrah Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimeve Sociale, si edhe Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, për të organizuar një konferencë në mbështetje të punonjësve për mbrojtjen e fëmijëve, me pjesëmarrjen e më shumë se 150 punonjësve të angazhuar në njësitë përkatëse.
Juliana thotë se baza e këtij bashkëpunimi qëndron në një marrëveshje që Prezenca nënshkroi, në maj të vitit 2018, me UNICEF-in, “Save the Children”, “Terre des Hommes” dhe “World Vision”. Kjo marrëveshje mundëson organizimin e trajnimeve, fushatave në mbrojtje të fëmijëve dhe veprimtarive ndërgjegjësuese të përbashkëta.
“Prezenca, gjithashtu, organizoi një veprimtari me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, e cila doli me një thirrje për institucionet shqiptare që ato të përshpejtojnë hapat për trajtimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe punës së fëmijëve”, thotë Juliana.
Prezenca udhëheq bashkërendimin e donatorëve në çështjet kundër trafikimit dhe mban rolin këshillues në Mekanizmin Kombëtar të Referimit për Viktimat e Trafikimit, duke siguruar pajtueshmërinë me angazhimet dhe rekomandimet e shumta të OSBE-së kundër trafikimit.
Juliana Rexhakëshilltare kundër trafikimit në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri
“Ne kemi bindjen se, përmes diskutimeve të thelluara të të gjitha palëve, do të vijë edhe ndarja e përgjegjësive, do të rritet ndërgjegjësimi dhe do të kemi një sistem më të fortë për mbrojtjen e fëmijëve”, thotë Juliana.