Prezenca e OSBE-së në Shqipëri paraqet arritjet në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm në burgje dhe shërbimin e provës
Rezultatet e një projekti për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çojnë në terrorizëm (VERLT) në burgje dhe në shërbimin e provës u paraqitën nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, më 31 janar 2020.
“Përmes bashkëpunimit të vijueshëm, burgjet e Shqipërisë mund të bëhen baza për moderim dhe deradikalizim”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Bernd Borchardt. “Ne mbetemi të gatshëm të vijojmë të mbështetim autoritetet përkatëse në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe në shërbimin e provës, përmes një qasjeje të integruar”.
Prezenca ka kontribuar për të zbutur rreziqet në Shqipëri, në katër drejtime, përmes: përgatitjes së një raporti të vlerësimit të nevojave në burgje dhe shërbimin e provës, në bashkëpunim me Institutin Ndërrajonal të Kombeve të Bashkuara për Kërkimet në Fushën e Drejtësisë dhe Krimit (UNICRI); hartimit të një manuali trajnimi për fenomenin e VERLT-it dhe ngritjes së kapaciteteve të personelit të burgjeve dhe shërbimit të provës; forcimit të bashkëpunimit rajonal; si edhe rritjes së ndërgjegjësimit dhe njohurive për VERLT-in dhe ndërhyrjet për trajtimin e tij të bazuara në të drejtat e njeriut.
Rreth 300 punonjës të burgjeve dhe Shërbimit të Provës u trajnuan për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm; 220 të rinj në shërbim prove morën pjesë në forume ndërgjegjësimi për parandalimin dhe luftën kundër VERLT-it; dhe rreth 200 studentë masteri morën pjesë në leksione të hapura me këtë temë.
Projekti u zbatua në partneritet të ngushtë me Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës.
Zbatimi i projektit, i cili u mbështet financiarisht nga qeveritë austriake, suedeze, gjermane dhe italiane, filloi në nëntor 2017, me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi me Ministrinë e Drejtësisë dhe Koordinatorin Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.