Prezenca e OSBE-së organizon vizitë studimore në Austri për autoritetet shqiptare në luftën kundër korrupsionit
Një duzinë zyrtarësh të nivelit të lartë të autoriteteve antikorrupsion të vendit përfunduan një vizitë katër-ditore pranë institucioneve austriake më 24 mars 2017. Veprimtaria u zhvillua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në kuadrin e një projekti të financuar nga Nisma e Evropës Qendrore (CEI) me synim fuqizimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e praktikave të mira në luftë kundër korrupsionit.
Delegacioni shqiptar përbëhej prej një Anëtari të Komisionit të Kuvendit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe prej zyrtarëve të lartë të institucioneve kryesore përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit, sikurse Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme/Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Agjencia e Prokurimit Publik, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve i Kuvendit të Shqipërisë dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar mori pjesë në një trajnim dy-ditor të përshtatur sipas nevojave pranë Akademisë Ndërkombëtare kundër Korrupsionit (IACA), si dhe morën pjesë në një leksion të mbajtur tek Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC). Veç kësaj, u mbajt një takim pune i përbashkët me autoritetet austriake antikorrupsion, në bashkërendim me Zyrën e Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së.
Pjesëmarrësit përfituan njohuri të avancuara lidhur me bashkëpunimin transnacional në luftë kundër korrupsionit, koordinimin e politikave dhe mekanizmave monitorues antikorrupsion, si dhe rreth hetimit proaktiv e të efektshëm të çështjeve të korrupsionit. Autoritetet shqiptare ndanë përvojat e tyre të punës me homologët austriakë dhe anasjelltas. Ato u inkurajuan që të nxisin më tej bashkëpunimin ndërinstitucional në luftë kundër korrupsionit, si dhe që të përvetësojnë praktikat e mira në zbatimin e ligjit në luftë kundër korrupsionit, për të përmirësuar kështu mekanizmat për parandalimin dhe çrrënjosjen e këtij fenomeni.
Kjo vizitë studimore u zhvillua në vazhdimësi të veprimtarive të Prezencës në mbështetje të luftës kundër korrupsionit. Veprimtaria u përgatit në bashkëpunim me Koordinatorin Kombëtar kundër Korrupsionit dhe me autoritete të tjera pjesë e rrjetit antikorrupsion, në përgjigje të nevojave të tyre për të rritur edhe më tej bashkërendimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.