OSBE/ODIHR hap misionin e vëzhgimit për zgjedhjet lokale në Shqipëri
TIRANË, 15 Maj 2015 – Zyra e OSBE/ODIHR-it hapi zyrtarisht sot një mision vëzhgimi të zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit në Republikën e Shqipërisë. Misioni i OSBE/ODIHR vjen në Shqipëri me një ftesë zyrtare të bërë nga Qeveria Shqiptare.
Misioni drejtohet nga Ambasadorja Audrey Glover dhe përbëhet nga një skuadër prej 13 ekspertësh të vendosur në Tiranë si dhe 18 vëzhgues afatgjatë të cilët do të shpërndahen në skuadra prej dy vetësh në të gjithë vendin. Përveç kësaj, ODIHR-i do t’u kërkojë 250 vëzhguesve afatshkurtër të monitorojnë ecurinë e ditës së zgjedhjeve.
Misioni do të vëzhgojë zgjedhjet në përputhje me angazhimet e OSBE-së, të detyrimeve të tjera dhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe në përputhje me legjislacionin vendas. Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër regjistrimin e kandidatëve dhe të zgjedhësve, aktivitetet e fushatës, punën e administrimit të zgjedhjeve dhe organizmave përkatës shtetërorë, kuadrin ligjor zgjedhor dhe zbatimin e tij, atmosferën mediatike dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Si pjesë e vëzhgimit, misioni gjithashtu do të monitorojë edhe mbulimin e medias për fushatën.
Gjatë vëzhgimit, misioni do të takohet me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, me partitë politike dhe me kandidatë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do të monitorojnë hapjen e qendrave të votimit, procesin e votimit, numërimin e votave dhe tabelat e rezultateve. Për ditën zgjedhjeve, misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR do të bashkojë përpjekjet me një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Një deklaratë e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake do të lëshohet ditën pas zgjedhjeve. Një raport përfundimtar mbi vëzhgimin e tërë procesit zgjedhor do të publikohet përafërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri operojnë në mënyrë të ndarë sipas mandateve specifike të tyre.
Për informacion të mëtejshëm, ju lutemi vizitoni: //www.osce.org/odihr/elections/albania ose kontaktoni Elma Šehalić, Analist i Medias, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it në numrin +355 69 257 5055 ose në elma.sehalic@odihr.al
ose
Thomas Rymer, Zëdhëndësin e ODIHR, në numrin + 48 609 522 266 (celular) ose në adresën thomas.rymer@odihr.pl