Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë konkurruese dhe të mirorganizuara, por me mungesë mundësish të barabarta, shprehen vëzhguesit ndërkombëtarë
TIRANË, 12 maj 2025 – Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë ishin konkurruese, u menaxhuan me profesionalizëm, autoritetet për herë të parë arritën të përballonin sfidën e organizimit të votimit nga jashtë vendit dhe kandidatët patën në përgjithësi mundësinë të bënin fushatë lirshëm, por procesi u karakterizua nga keqpërdorimi i gjerë i burimeve publike dhe i pushtetit institucional nga partia në pushtet, ndërkohë që raportime të shumta për presion ndaj punonjësve të administratës publike dhe zgjedhësve të tjerë, si dhe raste intimidimi, ishin shqetësuese, u shprehën vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot.
Misioni i përbashkët i vëzhgimit i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Asambleja Parlamentare e OSBE-së (AP e OSBE-së), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) dhe Parlamenti Evropian (PE), konstatuan se kuadri ligjor përbën një bazë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, ndonëse vazhdon të ekzistojë nevoja për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Mangësitë dhe paqartësitë në kuadrin ligjor krijuan pasiguri dhe llogaridhënie të kufizuar. Shumë rekomandime të bëra prej kohësh nga vëzhguesit ndërkombëtarë mbeten të paadresuara, duke ngritur shqetësime për mungesën e vullnetit politik.
“Kuadri ligjor dhe kapaciteti institucional mundësuan zgjedhje të mirorganizuara, duke përforcuar një bazë demokratike solide, por zgjedhësve nuk iu dha shansi të dëgjonin një shkëmbim të sinqertë idesh politike,” tha Farah Karimi, Koordinatore e Posacme dhe drejtuese e vëzhguesve afatshkrtër të OSBE-së. “Fushata u fokusua në sulme armiqësore dhe personale, veçanërisht nga dy liderët e dy partive kryesore, në vend që të ishte një debat mbi zgjidhjet. Kjo thelloi mosbesimin politik në politikë. Vendi Meriton një politikë të ndershme dhe konstruktive jo vetëm ditën e zgjedhjeve, por çdo ditë.”
Rreth 3.7 milionë votues u regjistruan për të votuar në zgjedhjet e djeshme, duke përfshirë pothuajse 250,000 të regjistruar jashtë vendit. Në përgjithësi, procesi i regjistrimit të zgjedhësve ishte transparent dhe përfshirja për herë të parë e votimit nga jashtë vendit shënoi një hap të rëndësishëm drejt një pjesëmarrjeje më të gjerë në zgjedhje. Shqipëria po vazhdon të përdorë teknologjitë e reja përmes identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe votimit elektronik. Vëzhguesit vunë re se përgjithësisht kishte besim të lartë në përdorimin e teknologjisë, ndonëse lidhur me këtë pati disa shqetësime, kryesisht nga opozita. Përgatitjet për zgjedhjet ishin eficente, dhe vetë dita e zgjedhjeve u vlerësua përgjithësisht pozitivisht, por procedurat shpesh nuk u ndoqën dhe u evidentuan një numër rastesh intimidimi dhe ndërhyrjesh në proces.
Simone Billi, Shefi i Delegacionit të PACE-s, tha: “E vlerësoj punën e çmuar të triumvirate shqiptar – SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së – për koordinimin me efikasitet të përpjekjeve për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, si dhe përfshirjen e votës së diasporës, që shënon një hap të rëndësishëm në historinë demokratike të Shqipërisë. Megjithatë, shohim se në kulturën më të gjerë politike ka ende nevojë për progres për forcimin e besimit të publikut dhe për t’u siguruar që mirëqeverisja arrin në të gjitha nivelet e shoqërisë.”
Fushata u karakterizua nga një ton konfrontues dhe polarizues, në kushtet e përdorimit të një gjuhe përçarëse nga dy partitë kryesore politike dhe përpjekjeve për të ndikuar padrejtësisht te votuesit. Vëzhguesit evidentuan përdorimin e burimeve shtetërore, ku përfaqësues të lartë të qeverisë u angazhuan në aktivitete të shumta zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës dhe që përfshinin prezantimin e programeve të përfitimeve sociale dhe projekteve të infrastrukturës, duke i dhënë partisë në pushtet një avantazh të padrejtë.
“Përfshirja e votimit nga jashtë vendit përbën një zhvillim për t’u përgëzuar, pasi i mundëson diasporës pjesëmarrjen në zgjedhje. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve të fundit në kuadrin ligjor, disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it mbeten të paadresuara,” u shpreh Björn Söder, Shefi i Delagcionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. “Një përafrim më i mirë me standardet demokratike ndërkombëtare do të dëshmonte përkushtimin e vazhduar ndaj vlerave evropiane dhe do të ndihmonte në forcimin e besimit të publikut në proceset zgjedhore.”
Pavarësia dhe diversiteti i medias u minuan nga financimi jotransparent, përqendrimi i pronësisë së medias dhe ndërhyrjet në autonominë editoriale, të cilat çuan në autocensurë mes gazetarëve dhe patën një ndikim negativ në sasinë dhe cilësinë e informacionit në dispozicion të publikut. Gjithashtu, mungesa e raportimit të pavarur pengoi edhe rolin mbikëqyrës të medias. Përveç kësaj, monitorimi i medias nga misioni vëzhgues tregoi se mbulimi i lajmeve u dominua nga dy partitë më të mëdha politike.
Angazhimi i Shqipërisë për një të ardhme në BE është një element i vlerësuar dhe i rrallë i konsensusit kombëtar. Cilado nga dy partitë kryesore që do të dalë fituese në këtë zgjedhje do ta vërtetojë këtë. Megjithatë, zhvillimi i këtyre zgjedhjeve duhet të shihet jo vetëm përmes prizmit të zhvillimit të suksesshëm të ditës së zgjedhjeve, por edhe duke përfshirë hapat njëanshëm para zgjedhjeve që ndikuan në krijimin e një terreni të barabartë,” tha Michael Gahler, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian. “Pasi zgjedhjet janë një instrument qendror i demokracisë, të gjitha palët përkatëse duhet të vazhdojnë të përpiqen për të arritur një konsensus të gjerë mbi kornizën zgjedhore dhe të punojnë për të rritur besimin në zhvillimin e saj. Për më tepër, bëj thirrje që qeveria e re të ndërtojë mbi sukseset e arritura tashmë, si në fushën e sistemit të drejtësisë.
Autoriteti përgjegjës për zgjidhjen e ankesave zgjedhore (KAS) i trajtoi rastet në mënyrë transparente dhe në seanca publike, megjithëse interpretimi i tij i ngushtë i rregullave për përdorimin e burimeve publike bëri që praktika të tilla shpesh të mos ndëshkoheshin. Autoriteti që punon për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK) luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ndërkohë që koordinimi më i ngushtë midis SPAK-ut, administratës zgjedhore dhe Prokurorisë së Përgjithshme përmirësoi shkëmbimin e informacionit lidhur me krimet zgjedhore.
“Megjithëse këto zgjedhje u menaxhuan mirë, vëzhguesit tanë afatgjatë dëshmuan intimidim të gjerë dhe abuzim me burimet publike gjatë fushatës”, u shpreh Ambasadori Lamberto Zannier, kreu Shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it. “E mirëpres mekanizmin e ri të koordinimit për luftën kundër krimeve zgjedhore, pasi po dëshmojmë një polarizim tejet politik që rezulton në një presion të tepërt mbi zgjedhësit dhe mbi vetë procesin zgjedhor. Kjo minon hapat pozitivë dikur të konstatuara në Shqipëri dhe mund të ndikojë negativisht në progresin drejt arritjes së qëllimeve afatgjata të vendit.”
Vëzhgimi ndërkombëtar i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri përfshiu 365 vëzhgues gjithsej nga 47 vende, përfshirë 238 ekspertë nga ODIHR-i, 97 parlamentarë dhe staf nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, 22 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës-ja dhe 12 nga Parlamenti Evropian.
Për më tepër informacion, ju lutemi kontaktoni:
Katya Andrusz, ODIHR: +48 609 522 266 or katya.andrusz@odihr.pl
Anzhelika Ivanishcheva, OSCE PA: + 45 60 10 80 30 or anzhelika.ivanishcheva@oscepa.dk
Bogdan Torcatoriu, PACE: +33 6 50 39 29 40 or bogdan.torcatoriu@coe.int
Raffaele Luise, EP: +355 069 696 0651or raffaele.luise@europarl.europa.eu>