OSBE/ODIHR hap misionin e vëzhgimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë
SHKUP, 31 Mars 2016 – Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) hapi zyrtarisht sot një mision vëzhgimi të zgjedhjeve (MVZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 Qershorit në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Misioni vjen me një ftesë zyrtare të bërë nga autoritetet.
Misioni kryesohet nga Ambasadori Jan Petersen dhe përbëhet nga një skuadër kryesore prej 12 ekspertësh të vendosur në Shkup si dhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të shpërndahen në skuadra prej dy vetash në të gjithë vendin që nga 13 prilli. Përveç kësaj, ODIHR do të kërkojë që shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 300 vëzhgues afatshkurtër. Vëzhguesit afatshkurtër do të arrijnë disa ditë para ditës së zgjedhjeve.
Misioni do të vlerësojë këto zgjedhje për përputhshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe detyrime e standarde tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe në përputhje me legjislacionin vendas. Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër regjistrimin e kandidatëve dhe të zgjedhësve, aktivitete e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organizmave përkatës shtetërorë, kuadrin ligjor zgjedhor dhe zbatimin e tij dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Si pjesë e vëzhgimit, misioni gjithashtu do të monitorojë edhe mbulimin e medias për fushatën.
Gjatë kohës së vëzhgimit, misioni do të takohet me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, me partitë politike dhe me kandidatë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, medias dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do të monitorojnë hapjen e vendvotimeve, procesin e votimit, numërimin e fletëvotimeve dhe tabelimin/përpilimin e rezultateve. Për ditën e zgjedhjeve, misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it do të bashkojë përpjekjet me delegacionet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (OSBE PA) dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE).
Misioni do të publikojë dy raporte të përkohshme gjatë rrjedhës së punës së tij. Ditën pas zgjedhjeve, një deklaratë e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake do të publikohet në një konferencë për shtyp. ODIHR do të lëshojë një raport përfundimtar mbi vëzhgimin përafërsisht tetë javë pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it dhe Misioni i OSBE-së në Shkup veprojnë në mënyrë të ndarë dhe të pavarur sipas mandateve specifike të tyre.
Për informacion të mëtejshëm, ju lutemi vizitoni //www.osce.org/odihr/elections/fyrom/204446 ose kontaktoni Egor Tilpunov, Analist i Medias, në +389 2 3222 558 (zyra në Shkup) ose +389 72 422 746 (celular në Shkup) ose në adresën egor.tilpunov@odihr.mk.
Ose
Thomas Rymer, Zëdhënës i OSCE/ODIHR-it, në numrin +48 609 522 266 (celular në Varshavë) ose në adresën thomas.rymer@odihr.pl.