Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale u administrua në mënyrë efikase dhe ato ishin me konkurrencë të lartë, por fusha e garimit vazhdon të mos jetë e barabartë, thonë vëzhguesit
SHKUP, 8 mars 2013 – Sikurse rrethi i parë i votimit, edhe rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ishte me konkurrencë të lartë dhe ato u administruan në mënyrë efikase, por mbulimi partiak mediatik dhe mosndarja e qartë e aktiviteteve shtetërore dhe atyre partiake, përsëri ishte shkak për mungesë të mundësive të barabarta për garim, konkluduan vëzhguesit ndërkombëtarë të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (ODIHR) në deklaratën e lëshuar sot.
“Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidatët kishin mundësi në përgjithësi të zhvillojnë fushatë të lirë”, tha ambasadori Gert-Hajnrih Arens, Shef i Misionit për Vëzhgim të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it. “Në të njëjtën kohë, misioni ynë vazhdoi të pranojë akuza për frikësimin e votuesve dhe keqpërdorimin e resurseve shtetërore.”
Kornizës ligjore zgjedhore i mungojnë detaje për çështjet kryesore që kanë të bëjnë me rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, që le hapësirë për reforma të vazhdueshme, thuhet në deklaratë. Komisioni Shtetëror Zgjedhor vazhdoi të punojë në mënyrë transparente dhe iu përmbajt afateve kohore zgjedhore, por kolegialieti i tij u përkeqësua gjatë shqyrtimit të ankesave, me ç’rast vendimet u bazuan kryesisht në përkatësinë partiake. Deklarata më tej thekson se mungesa e procedurave të qarta për trajtimin e ankesave nuk garanton zgjidhje në kohë dhe efektive.
Pas votimit në rrethin e parë, pati shqetësime edhe më të mëdha sa i përket saktësisë së listës së votuesve. Komisioni Shtetëror Zgjedhor vendosi të mos lejojë disa qytetarëve për të votuar në rethin e dytë, bazuar në çështjet që kanë të bëjnë me vendbanimin e tyre, pavarësisht se ato ishën në listat e votuesve.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve në përgjithësi ishte i qetë, dhe procedurat në masë të madhe u ndoqën, edhe pse vazhdonin rastet e votimit në grupe.
Për informata më të hollësishme kontaktoni:
Lauren Baranowska, OSBE/ODIHR, +389 70 359 082 ose +48 695 916 998, lauren.baranowska@odihr.pl