ODIHR-i punon me Shqipërinë për ndryshimet e planifikuara në ligjin e zgjedhjeve
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) do t’i japë asistencë teknike Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, gjatë vitit 2012, edhe përmes vizitës së një grupi ekspertësh në Tiranë.
Me ftesë të Kuvendit të Shqipërisë, ODIHR-i do të ofrojë këshillim për ndryshimet e planifikuara në Kodin Zgjedhor, që do të hartohen nga Komisioni i Posaçëm, përpara zgjedhjeve parlamentare që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit 2013.
“Kjo është pjesë e përpjekjeve më të gjera të ODIHR-it për të ndihmuar Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, bazuar në kërkesën e tyre, për të siguruar që zgjedhjet të mbahen në përputhje me angazhimet e tyre ndaj OSBE-së dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, tha Beata Martin-Rozumilowicz, drejtuese e Departamentit të Zgjedhjeve në ODIHR. “Sipas praktikës së mirë, të pranuar gjerësisht, që ndryshimet në legjislacionin zgjedhor të paraqiten të paktën një vit përpara zgjedhjeve, ODIHR-i është i gatshëm ta ofrojë menjëherë ndihmën e tij”.
Një vizitë e parë e një grupi ekspertësh do të zhvillohet në datat 24-27 janar dhe gjatë saj do të zhvillohen edhe takime me Kryetaren e Kuvendit, komisionin e posaçëm dhe grupin e ekspertëve teknikë të zgjedhjeve, si dhe me përfaqësuesit e partive të vogla politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.
Mbështetja e ODIHR-it pason raportin e përfundimtar të kësaj Zyre për zgjedhjet vendore të 8 majit dhe të opinionit të përbashkët për Kodin Zgjedhor, të publikuar nga ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, në dhjetor 2011. Ndihma ofrohet përmes një projekti të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, me mbështetje financiare të Mbretërisë së Bashkuar.