Shënimi i 15 vjetorit të Forumit Pjesëmarrës: Një moment historik për dialogun, përfshirjen dhe të drejtat e komuniteteve
Shkup, 27 nëntor 2025 – Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve (ARDK) sot shënoi 15 vjetorin e Forumit Pjesëmarrës, duke festuar një nga platformat më të qëndrueshme të vendit për dialog të strukturuar midis institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të komuniteteve më të vogla.
I krijuar në vitin 2011 me mbështetjen e Misionit, Forumi Pjesëmarrës është shndërruar në mekanizëm të besueshëm ku institucionet dhe komunitetet punojnë së bashku për të formësuar politika publike më përfshirëse. Duke sjellë në një vend ministritë, agjencitë e nivelit qendror, deputetë, shoqërinë civile dhe përfaqësues të komuniteteve, Forumi takohet rregullisht për të trajtuar çështje të cilat kanë ndikim në komunitetet që përfaqësojnë më pak se 20 përqind të popullatës.
Gjatë 15 viteve të kaluara, Forumi ka kontribuar për progresin në fushat siç janë qasja në arsim në gjuhën e komuniteteve, përfaqësimi adekuat, të drejtat kulturore dhe mediatike, dialogun ndërkulturor dhe antidiskriminimin. Rekomandimet e tij i dorëzohen rregullisht Qeverisë, për të siguruar që shqetësimet e komuniteteve më të vogla përfshihen gjatë zhvillimit të politikave.
Zëvendëskryeministri Ivan Stoillkoviq nënvizoi angazhimin e qeverisë për promovimin e përfshirjes. “Qeveria vazhdon të mbështesë mekanizmat që forcojnë kohezionin shoqëror. Forumi Pjesëmarrës është shembull se si bashkëpunimi i qëndrueshëm mund të shpie deri në përmirësime konkrete për komunitetet mbarë vendit.”
Dr. Suzan Penksa, zëvendësshefe e Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi ndikimin afatgjatë të Forumit mbi ndërtimin e besimit dhe kohezionit shoqëror. “Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, falë avokimit të vazhdueshëm të Forumit, ne kemi parë progres të vërtet: partneritete më të forta të shoqërisë civile, arsim më të zgjeruar në gjuhën e komunitetit, më shumë libra shkollore, lëndë të reja zgjedhore dhe madje edhe krijimin e TV kanalit shtetëror MTV4 të përkushtuar komuniteteve më të vogla. Këto arritje tregojnë se si dialogu i rëndësishëm mund të formësojë politikat qenësore për kohezionin shoqëror.”
Drejtori i ARDK Dalibor Kitanoviq nënvizoi kontributin e Forumit për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve. “Për 15 vjet, Forumi Pjesëmarrës ka dëshmuar se aty ku ka dialog, ka dhe progres. Kjo platformë ka ndihmuar institucionet të kuptojnë më mirë nevojat e komuniteteve dhe ka siguruar që asnjë zë të mos anashkalohet në proceset e hartimit të politikave.”
Për të shënuar përvjetorin, ARDK prezantoi një broshurë të re që dokumenton themelimin, kornizën ligjore, metodën e punës, rezultatet dhe rekomandimet kyçe të Forumit. Ky publikim, i punuar me mbështetjen e Misionit, është në dispozicion në shtatë gjuhë.
Misioni i OSBE-së shprehu mirënjohje për të gjithë anëtarët e Forumit, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile të cilët kontribuan për këtë rrugëtim 15 vjeçar plot dialog, partneritet dhe përfshirje.