Misioni i OSBE-së në Shkup kremton Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me fokus në angazhimin qytetar

Misioni i OSBE-së në Shkup shënoi Ditën Ndërkombëtare të Rinisë duke festuar fuqinë e angazhimit qytetar të të rinjve në ceremoninë “ Ndarja e Çmimit për Pjesëmarrje Rinore”, që u mbajt në Suli An (Hamami i Sulit) në Çarshinë e vjetër të Shkupit.
Organizuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, dhe Këshillit Kombëtar Rinor të Maqedonisë, me mbështetjen e Misionit, evenimenti nderoi individët e rinj, grupet joformale dhe organizatat rinore nismat e të cilëve janë duke transformuar komunitetet mbarë Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin e saj, Enrica Vida, shefe e Zyrës së Misionit për Çështje Politike dhe Komunikim, lavdëroi “kreativitetin, pasionin dhe udhëheqjen” e të rinjve dhe paralajmëroi një kategori të re “Çmimi për të Rinj dhe Sigurinë”, të cilin Misioni do ta nisë në vitin 2026. Çmimi do të njohë liderët e rinj dhe organizatat që kontribuojnë për komunitete më të sigurta dhe të qëndrueshme duke përforcuar angazhimin e Misionit ndaj axhendës së të Rinjve, Paqes dhe Sigurisë.
“Pjesëmarrja e të rinjve është më shumë se një e drejtë – është përgjegjësi dhe një mundësi unike për të formësuar ardhmërinë tonë të përbashkët” tha Vida. “Nga projektet për edukimin financiar që lidhin Shkupin dhe Kosta Rikën, deri te fushatat bazë për barazinë gjinore, sigurinë dhe dialogun ndërkulturor, ju po tregoni se angazhimi qytetar është demokraci në vepra”.
Ceremonia paraqiti shembuj frymëzues të nismave të udhëhequra nga të rinjtë, nga projektet për ripërtëritjen urbane të Shkupit deri në kampet verore ndërkulturore për fëmijë nga zonat e prekura nga kriza. Këto rrëfime, theksoi Vida, janë “xixa” që shndërrohen në ndryshime të qëndrueshme.
Si pjesë e strategjisë trevjeçare, Misioni do të vazhdojë të mbështesë politikat sipas nevojave të rinisë, dialogun e strukturuar me institucionet dhe nismat e ardhshme siç është Grupi Nacional i Punës për Parandalimin e Dhunës midis të Rinjve, një përpjekje e përbashkët me Ministrinë për të zhvilluar zgjidhje të bazuara në prova që pasqyrojnë nevojat dhe perspektivat e të rinjve.
Duke sjellë në një vend vendimmarrësit, shoqërinë qytetare dhe liderët e rinj, këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Rinisë riafirmoi një angazhim të përbashkët: fuqizimin e të rinjve si partnerë qenësorë në ndërtimin e shoqërive demokratike, gjithëpërfshirëse dhe paqësore.