Misioni i OSBE-së në Shkup dhe bashkëpunëtorët bëjnë thirrje për qasje proaktive në parandalimin e dhunës në familje
SHKUP, 6 Prill 2020 - Misioni i OSBE-së në Shkup, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut dhe Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje u bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse që të bëjnë përpjekje shtesë për të parandaluar dhunën në familje gjatë krizës së COVID-19, si dhe të vendosen mekanizma efikas për mbrojtjen e viktimave.
“Në këto periudha të vështira, mediat duhet të intensifikojnë raportimin lidhur me rreziqet e dhunës në familje, si dhe të nxjerrë në pah shërbimet ekzistuese të ndihmës në mënyrë që viktimat të mësojnë se ku mund të drejtohen për ndihmë,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup Clemens Koja. “Është e rëndësishme që organizatat e shoqërisë civile të qëndrojnë në dispozicion të viktimave të mundshme, ndërsa institucionet shtetërore, përfshi policinë dhe qendrat për punë sociale, të punojnë drejt zvogëlimit të rreziqeve të dhunës në familje duke kryer fushata informuese dhe duke mbajtur shërbimet e tyre të hapura gjatë krizës.”
Sipas Sondazhit të kryer nga OSBE për Dhunën ndaj Grave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2019, 45% e grave në vend kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale nga një partner intim, megjithatë vetëm 2% e viktimave raportojnë incidentet e tyre më të rënda në polici. Arsyet kryesore për këtë janë turpi, varësia financiare, mosbesimi ndaj institucioneve dhe frika nga hakmarrjet, si dhe bindjet tradicionale se dhuna në familje është çështje private.
“Gratë dhe fëmijët, por edhe anëtarët e tjerë të familjes, i nënshtrohen dhunës mendore, fizike dhe seksuale,” tha Sanela Shkrijelj, zëvendës Ministre e Punës dhe Politikës Sociale. “Në situata stresi dhe izolimi në shtëpi, kjo mund të përshkallëzohet edhe më tej. Qeveria ka rritur disponueshmërinë e shërbimeve për viktimat në mbarë vendin. Viktimat e mundshme duhet të kontaktojnë linjën SOS në 02-15700 ose 02-15315 për të kërkuar ndihmë. Askush nuk duhet të ndihet i lënë vetëm.”
Elena Dimushevska, drejtore e Rrjetit Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje tha se gjendja e jashtëzakonshme mund të shkaktojë rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje.
“Organizata jonë ka lëshuar linja telefonike për të siguruar ndihmë dhe mbështetje për viktimat në formën e ndihmës juridike falas (071/ 464-019), këshillimit psikologjik (075/ 255- 154) dhe këshillimit për të drejtat e mbrojtjes sociale (071/ 324-223). Ne inkurajojmë të gjitha gratë që përjetojnë çfarëdo forme të dhunës në familje ose nga partneri intim të na kontaktojnë. Ne poashtu u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që t'i trajtojnë thirrjet në lidhje me dhunën në familje si prioritetin e tyre më të lartë, si dhe të ndërmarrin të gjitha masat për të mbrojtur viktimat.”