Punëtoria e OSBE-së për pjesëmarrjen politike të personave me aftësi të kufizuara u mbajt në Shkup
Promovimi i pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në jetën politike dhe publike ishte fokusi i punëtorisë së organizuar nga ana e OSBE-së, që u mbajt më 28 shtator 2017 në Shkup.
Punëtoria e organizuar nga ana e Misionit të OSBE-së në Shkup në bashkëpunim me Grupin ndërpartiak parlamentar për personat me aftësi të kufizuara, gjithashtu trajtoi sfidat me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre demokratike, përfshirë të drejtën për të zgjedhur dhe ajo për tu zgjedhur.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi: “Pjesëmarrja politike e personave me pengesa nuk është asgjë tjetër përpos pjesë e të drejtave dhe lirive themelore njerëzore. Me këtë rast, nuk mendoj vetëm për të drejtën të zgjedhësh dhe të jesh i zgjedhur por, shumë më gjerë. Respektivisht, pjesëmarrje aktive të këtyre bashkëqytetarëve tanë në krijimin dhe realizimin e politikave të ndryshme”.
Gonzalo de Cesare, Shefi i Departamentit të Dimensionit Njerëzor pranë Misionit të OSBE-së në Shkup shtoi: “Sot patëm një mundësi të rrallë për të diskutuar mbi sfidat me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara. Parimi i mosdiskriminimit na përkujton se një jetë pa diskriminim është e drejtë themelore e të gjithë njerëzve.”
“Sllogani “Asgjë për Ne, Pa Ne” shpreh në mënyre të përsosur këtë të drejtë dhe në veçanti të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për pjesëmarrje politike, tha ai. "Misioni i OSBE-së në Shkup e ka adaptuar këtë slogan në punën e vet."
“Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë të situatave ku persona me aftësi të kufizuara janë përjashtuar nga jeta publike dhe politike. Gjatë viteve të kaluara, që nga pavarësia e shtetit, asnjë person me aftësi të kufizuara nuk është zgjedhur për Kryetar komune, deputet në parlament apo ministër. Një proces gjithëpërfshirës politik me pjesëmarrjen aktive të personave me aftësi të kufizuara në jetën politike dhe publike paraqet dobi jo vetëm për komunitetin e personave me aftësi të kufizuara, por për tërë shoqërinë”, tha Elena Koçoska, aktiviste për personat me aftësi të kufizuara.
Diskutimi ndihmoi në identifikimin e sfidave konkrete për promovimin e pjesëmarrjes politike të personave me aftësi të kufizuara, si dhe ofroi ide për veprime konkrete që mund të sjellin rezultate pozitive në kontekstin kombëtar.