Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias dënon sulmin ndaj gazetarit në Shqipëri dhe bën thirrje për hetim të shpejtë dhe të plotë
Vjenë, 10 maj 2016 – Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, dënoi sulmin ndaj gazetarit Eduard Ilnica të hënën mbrëma në Tiranë, si edhe iu bëri thirrje autoriteteve shqiptare të realizojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit.
“E dënoj këtë sulm; dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet të tolerohet”, u shpreh Mijatović. “E përshëndes reagimin e shpejtë të policisë dhe shpresoj që hetimi të japë rezultate dhe të çojë të gjithë fajtorët para drejtësisë.”
Mediat raportojnë se Ilnica është rrahur nga një grup personash dhe është shtruar në spital, pas një emisioni televiziv ku ai ka raportuar mbi dhunën e ushtruar gjatë një ndeshje futbolli në Peshkopi. Policia arrestoi një të dyshuar pak kohë pas sulmit.
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet e medias në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo jep paralajmërime për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, si edhe nxit respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias. Për më shumë, vizitoni www.osce.org/fom, Twitter: @OSCE_RFoM dhe www.facebook.com/osce.rfom.