OSBE dorëzon strategjinë për fillimin e aktiviteteve të Këshillit të Etikës së Mediave në Shkup
VIENË / SHKUP, 16 tetor 2014 – Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias Dunja Mijatoviç dorëzoi sot strategjinë dy-vjeçare që përfshinë pikat e veprimit për Këshillin e sapo-themeluar të Etikës së Mediave (KEM).
“Me këtë strategji vihet në vend baza për punën e Këshillit si një mekanizëm vetërregullues," tha Mijatoviç. "Zbatimi i suksesshëm i strategjisë tani në masë të madhe varet nga mbështetja e plotë nga të gjithë anëtarët e mediave në vend. Unë besoj se Këshilli do të ketë mbështetjen e tërësishme nga gjithë subjektet në sektorin e medias.”
Dorëzimi i strategjisë vjen pas dy punëtorive të mbajtura në korrik dhe tetor të këtij viti me përfaqësues nga Zyra e Përfaqësueses së OSBE-së për Lirinë e Medias, ekspertit të pavarur Dieter Loraine, Misionit të OSBE-së në Shkup, dhe Këshillit të Etikës së Mediave. Në këto punëtori palët kanë rënë dakord lidhur me përpilimin e statutit, kodit të etikës, strukturat e punës dhe procedurat e ankimimit të shoqëruar me një buxhet dy-vjeçar që nevojitet për fillimin e punës së këtij organi.
“Misioni ka mbështetur këtë proces që nga fillimi dhe ne besojmë se aktivitetet e Këshillit do të ndihmojnë në arritjen e standardeve të cilësisë më të mirë në media në periudhë më të gjatë,” tha Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadori Ralf Breth.
Qëllimi i Këshillit është që të funksionojë si një organ vetë-rregullues, i pavarur nga mediat dhe qeveria, si dhe të promovojë dhe mbrojë standardet profesionale dhe etikën në gazetari, duke ofruar shërbim të paanshëm dhe efikas për ankesat nga qytetarët.
Hapi tjetër për Këshillin e Etikës së Mediave është miratimi i plotë i strategjisë dhe i pikë-veprimeve, si dhe prezantimi i tij në publik. Gjithashtu, do të ofrohen informacione të hollësishme për qytetarët se si të ankohen në rast të shkeljes së etikës gazetareske.
“Unë me padurim pres të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet në Shkup dhe shoqërinë civile në vend lidhur me çështjet e lirisë së medias,” tha Mijatoviç.
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias ndjek zhvillimin e mediave në të gjitha 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo ofron paralajmërim të hershëm për shkelje të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së mediave, si dhe promovon përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së lidhur me lirinë e mediave. Mëso më shumë në www.osce.org/fom , Twitter: OSCE_RFoM dhe më facebook.com/osce.rfom