Udhëheqësit politikë kanë rol parësor në luftën kundër diskriminimit të romëve dhe sintëve, thonë Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe Drejtori i ODIHR-it, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve
BERLIN/VARSHAVË, 8 prill 2016 – “Udhëheqësit politikë duhet të luajnë rol parësor në luftën kundër diskriminimit dhe paragjykimeve ndaj romëve dhe sintëve, si edhe në përmirësimin e situatës së tyre”, thanë sot Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe Ministër i Jashtëm Federal i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dhe Drejtori i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Michael Georg Link, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
“Udhëheqësit politikë të të gjitha niveleve duhet të jenë në ballë të përpjekjeve për t'i dhënë fund racizmit dhe diskriminimit sistematik, që godet prej kohësh komunitetet dhe individët romë dhe sinti në shumë vende të rajonit të OSBE-së", u shpreh Kryetari i Radhës i OSBE-së, Steinmeier. “Ata duhet të udhëheqin jo vetëm me fjalë, duke dhënë mesazhe pozitive dhe duke u distancuar nga stereotipet negative dhe hedhja e fajit të tjerëve, por edhe me shembull, duke garantuar zbatimin e politikave në të gjitha nivelet e qeverisjes, në mënyrë që të nxitet integrimi dhe pjesëmarrja e plotë politike, ekonomike dhe sociale e romëve dhe sintive në shoqëritë e tyre.”
Në veçanti, ata dënuan mesazhet dhe gjuhën raciste të disa politikanëve, që synojnë ose nxitjen e urrejtjes ndaj romëve dhe sintive, ose forcimin e stereotipeve negative.
“Është alarmues fakti që ende ka raste ku politikanët i drejtohen politikës së frikës dhe urrejtjes për përfitim vetjak, sipas perceptimit të tyre, duke ndezur paragjykime të padrejta dhe të rrezikshme ndaj romëve dhe sintëve. Kjo shton rrezikun që pjesëtarët e pakicës më të madhe në Evropë të bëhen objekt i krimit të urrejtjes, përfshi sulmet e dhunshme, madje edhe vrasjet”, tha Drejtori Link. “Udhëheqësit duhet jo vetëm të mos japin deklarata të tilla, por të shkojnë një hap më tutje – ata duhet të dënojnë publikisht gjuhën dhe veprimet raciste ndaj romëve dhe sintive, si edhe të luftojnë racizmin dhe diskriminimin në mënyrë sistematike”, shtoi ai.
Çështja e retorikës raciste antirome e përdorur nga politikanët u trajtua në një eveniment të veçantë të organizuar nga ODIHR-i dhe Këshilli Qendror për Sintit dhe Romët Gjermanë, gjatë Takimit për Zbatimin e Dimensionit Njerëzor në Varshavë, më 30 shtator 2015, ku pjesëmarrësit theksuan rolin e rëndësishëm të institucioneve shtetërore në kapërcimin e racizmit.
Puna e Organizatës në këtë fushë udhëhiqet nga Plani i Veprimit për Përmirësimin e Situatës së Romëve dhe Sintëve në Zonën e OSBE-së, miratuar në vitin 2003, i cili përmban masa për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit, me objektivin që të nxitë pjesëmarrje më të madhe publike dhe ekonomike, si edhe të garantojë akses dhe mundësi të barabarta në fushat e arsimit, punësimit, strehimit dhe shërbimeve shëndetësore.
“Programi për të trajtuar racizmin dhe diskriminimit ndaj romëve dhe sintive dhe për të përmirësuar situatën e tyre ekziston tashmë në formën e Planit të Veprimit”, tha Mirjam Karoly, Shefe e Pikës së Kontaktit të OSBE-së për Çështjet Rome dhe Sinti. “Duhet më shumë vullnet politik dhe lidership, sepse janë thelbësore për ta bërë atë realitet”, përfundoi ajo.
Për informacione të mëtejshme, vizitoni: //www.osce.org/cio/231961