Prezenca e OSBE-së ndihmon fëmijët në nevojë në Shqipëri
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2012, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ndihmoi fëmijët në nevojë urgjente, në disa qytete, duke i pajisur me mjete themelore jetese dhe shkollimi. Fëmijët u identifikuan si në nevojë nga Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashkitë e Fierit, Lushnjës dhe Beratit, si edhe nga streha “Vatra” në Vlorë.
Sendet e dhuruara, që përfshinin ushqime, pajisje shkollore, lodra dhe veshje dimërore, iu dorëzuan punonjësve socialë dhe familjeve të fëmijëve, gjatë vizitave të zhvilluara nga Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth dhe punonjës të tjerë të Prezencës.
Gjatë vizitës së tij në Fier, Ambasadori Wollfarth i nxiti autoritetet t’u japin burime të mjaftueshme Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe bëri thirrje për një rol më proaktiv nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
“E vërteta është se në këtë vend ka tepër fëmijë në nevojë të skajshme, shumë viktima të rrethanave tragjike, nga dhuna në familje te trafikimi, abuzimi apo situata të tjera të tmerrshme. Është e rëndësishme që institucionet t’i dyfishojnë përpjekjet për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e tyre”, tha ai. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vijojë të mbështesë përpjekjet institucionale për të rritur mbrojtjen e fëmijëve dhe gëzimin e plotë të të drejtave të tyre të njeriut”.
Prezenca është aktive në promovimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, si pjesë e mandatit të saj më të gjerë për të drejtat e njeriut. Prezenca ka ndihmuar në ngritjen e Njësive Antitrafik dhe në hartimin e planeve të veprimit, si dhe ka mbështetur ngritjen e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve e të komisioneve shumëdisiplinore në nivelin e qeverisjes vendore.