Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbyll projektin për angazhimin qytetar të të rinjve
Sot, në qytetin e Durrësit, u mbajt ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për 50 studentë që morën pjesë në një projekt të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për përgjegjshmërinë qytetare. Në të morën pjesë kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth, i Ngarkuari me Punë i ambasadës gjermane në Shqipëri, Erik Tintrup, kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtues të institucioneve të arsimit të lartë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Një komunitet qytetar pro-aktiv është një element thelbësor i stofit shoqëror në demokracitë moderne. Gjatë të gjithë këtij projekti, me veprimet tuaja praktike e të përbashkëta, ju keni përfaqësuar pikërisht këtë: qytetarinë model,” u tha ambasadori Wollfarth studentëve në ceremoni. “Shpresoj që pjesëmarrja juaj qytetare nuk do të përfundojë këtu, por që kjo të jetë e para ndër shumë përpjekje që ju do të udhëhiqni për të kontribuar për forcimin e shoqërisë civile në komunitetet tuaja”.
Projekti synoi fuqizimin e ndjenjës së angazhimit dhe përgjegjshmërisë qytetare te të rinjtë përmes studimit të rolit që luan shoqëria civile në zhvillimin e komuniteteve nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit dhe partneritet mes të rinjve, institucioneve vendore dhe organizatave joqeveritare. Studentët morën pjesë aktive në jetën e komunitetit, për shembull, duke ndihmuar në bibliotekën e qytetit dhe në qendrën e kujdesit ditor për të moshuarit. Projekti u financua nga qeveria gjermane.