Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri viziton burgun e Zaharisw, bën apel për kushte më të mira
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, vizitoi sot institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale të Zaharisë, në Krujë, për të parë kushtet e jetesës së personave që vuajnë dënimin.
Si shtet pjesëmarrës i OSBE-së, Shqipëria është angazhuar t’i trajtojë të gjithë personat e privuar nga liria me humanizëm dhe respekt për dinjitetin e tyre. Veçanërisht, Shqipëria është zotuar të marrë masa, sipas nevojës, për të përmirësuar kushtet për individët e ndaluar apo të burgosur.
Duke theksuar mandatin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në provimin e të drejtave të njeriut, ambasadori Wollfarth tha: “Ka pasur përmirësime domethënëse në sistemin e burgjeve, përmes ndërtimit të mjediseve të reja dhe ngritjes së sistemit të ri të shërbimit të provës, ky i fundit me mbështetjen e Prezencës në Shqipëri. Ne presim të shohim një përmirësim të mëtejshëm të shërbimeve mjekësore profesionale në të tërë sistemin e burgjeve, një fushë ku institucionet shqiptare duhet të bëjnë akoma përparim”.
Wollfarth tha se kjo është veçanërisht e vërtetë për burgun e Zaharisë, ku vuajnë dënimin të burgosur me probleme mendore, për të cilët gjykata ka urdhëruar trajtim mjekësor të detyrueshëm.
Ai vlerësoi stafin e burgut për nivelin e lartë të përkushtimit profesional, megjithë kushtet shumë sfiduese dhe të vështira ku punojnë.
Në cilësinë e kreut së nënkomitetit për reformën e burgjeve të Konsorciumit Ndërkombëtar – një grup i ngritur për të bashkërenduar ndihmën ndërkombëtare në Shqipëri – Prezenca e OSBE-së u kushton vëmendje shtesë të drejtave të të burgosurve, në mënyrë që ata të trajtohen me humanizëm, dinjitet dhe respekt. Bazuar në monitorimin e vendeve të vuajtjes së dënimit, Prezenca ka përgatitur rekomandime praktike për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përmirësimin e situatës në burgje.