Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuron kompjuterë dhe trajnon stafin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë
TIRANË, 20 korrik 2012 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dhuroi sot Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) në Ministrisë së Drejtësisë disa kompjuterë si pjesë e një projekti të OSBE-së, i cili përfshin asistencë në ndryshimin e rregulloreve të brendshme, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një projekti për mbikëqyrjen elektronike.
Në ceremoninë e dhurimit morën pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe Drejtori i SHKBB-së Denion Meidani.
"Përmes dhurimit të sotëm dhe trajnimit të stafit që do të pasojë, Prezenca e OSBE-së po përpiqet të japë një kontribut të prekshëm në punën e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve", tha Wollfarth. "Ne marrim përsipër ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin e fortë me Ministrinë e Drejtësisë dhe ta mbështesim atë në nismat e saj kyçe të reformave gjyqësore dhe ligjore."
Pas ceremonisë, Wollfarth dhe Halimi vizituan ambientet e SHKBB-së dhe diskutuan rreth bashkëpunimit aktual dhe të ardhshëm, bazuar në mandatin e Prezencës, në lidhje me reformën gjyqësore dhe ligjore. Asistenca e Prezencës së OSBE-së në këto fusha do të ofrohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë.