Prezenca e OSBE-së siguron një sallë të re pune për median në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
Më 23 maj, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë u përuruan salla e rikonstruktuar e mbledhjeve e komisionit të ligjeve dhe një sallë e re pune për median, në kuadrin e një projekti të implementuar në bashkëpunim nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Kuvendi, me bashkëfinancimin e Prezencës së OSBE-së, Ambasadës së Gjermanisë dhe vetë Kuvendit.
Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth, dhe Zëvendës Ambasadori gjerman në Shqipëri, Erik Tintrup, së bashku me deputetë, personelin e administratës së Kuvendit dhe gazetarët që merren me mbulimin e veprimtarisë parlamentare.
“Këto ambiente të reja do ta ndihmojnë parlamentin shqiptar që të bëhet më transparent dhe më i përgjegjshëm në sytë e publikut. Ato do të ndihmojnë për ta bërë publikun që të ndihet më shumë zot i procesit demokratik – dhe do të forcojnë kështu legjitimitetin e tij,” tha Ambasadori Wollfarth.
Salla e punës për median do t’i ndihmojnë gazetarët për të pasur akses të menjëhershëm në një sërë burimesh në internet, duke përfshirë këtu dokumentet parlamentare dhe në rezultatet e mbledhjeve të komisioneve.
Salla e rikonstruktuar e mbledhjeve të komisionit do të ofrojë një ambient më të lehtë për t’u përdorur për të gjithë, ku do të mbahen bashkërisht mbledhjet e komisioneve dhe seancat dëgjimore publike. Po ashtu, salla do të rrisë aksesin për publikun dhe median falë një galerie vëzhguese që gjendet brenda saj.
Qysh prej vitit 2002 dhe me mbështetjen financiare të Holandës, Austrisë dhe Gjermanisë, mbështetja e Prezencës ka përfshirë transmetimin direkt të seancave plenare në internet, futjen në përdorim të praktikave dhe infrastrukturës së re të teknologjisë së informacionit, modernizimin e mëtejshëm të ambienteve të bibliotekës, si dhe përmirësimin e burimeve njerëzore dhe mundësive për kërkime. Asistenca që do të ofrohet në të ardhmen parashikon vazhdimin e procesit të dixhitalizimit të dokumentacionit historik parlamentar, rritjen e kapaciteteve të deputetëve për kontakte me elektoratin, fuqizimin e standardeve dhe procedurave të etikës parlamentare, si dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal mes deputetëve dhe personelit të Administratës së Kuvendit.