Prezenca e OSBE-së dhe Universiteti i Tiranës prezantojnë Masterin për përmirësimin e shërbimeve sociale në sistemin e drejtësisë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Universiteti i Tiranës prezantuan, më 30 prill 2012, një program të ri ndërdisiplinor Master, i cili synon përmirësimin e standardeve të shërbimeve sociale në Shqipëri, veçanërisht të atyre të ofruara në sistemin e drejtësisë.
Programi Master "Administrimi i institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë" do të mbështesë institucionet shqiptare në arsimimin dhe trajnimin e profesionistëve të tashëm dhe të ardhshëm, si dhe vullnetarët, që punojnë me shkelësit e ligjit në sistemin e drejtësisë penale. Qëllimi i përgjithshëm është përmirësimi i sistemit penitenciar dhe të shërbimit të provës, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet evropiane.
“Këto institucione mund të ofrojnë shërbime të mira vetëm nëse profesionistët që punojnë çdo ditë me të dënuarit dhe me viktimat e krimit marrin një arsim dhe trajnim të specializuar”, tha Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth.
Në ceremoninë e prezantimit folën edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule.
Programi është Masteri i parë ndërdisiplinor në Shqipëri dhe do të ofrohet nga Universiteti i Tiranës, duke nisur nga viti akademik 2012-2013. Nevoja për këtë lloj ekspertize lindi pas ngritjes së Shërbimit Kombëtar të Provës, në vitin 2009.
Programi i studimeve është i menduar për oficerët e shërbimit të provës, punonjësit socialë, psikologët, mësuesit, sociologët, punonjësit e administratës publike, anëtarët e organizatave të shoqërisë civile, policët, avokatët, si dhe profesionistët që punojnë në mjediset e vuajtjes së dënimit.
Gjatë veprimtarisë, u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi, i cili do të formojë bazën dhe do të ofrojë një kornizë për bashkëpunim të mëtejshëm mes Universitetit të Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.