Prezenca e OSBE-së ndihmon Shqipërinë me shkatërrimin e kimikateve të rrezikshme
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, firmosën, më 16 prill 2012, një marrëveshje për shkatërrimin e mbi 80 tonë lëndësh kimike të rrezikshme. Kimikatet, të cilat ndodhen aktualisht në depot ushtarake, do të grumbullohen, ripaketohen dhe do të dërgohen jashtë shtetit, ku do të digjen në mënyrë të sigurt e të padëmshme.
“Shkatërrimi i të gjitha lëndëve kimike të rrezikshme është çështje sigurie: për popullsinë, për mjedisin dhe, gjithashtu, edhe për rajonin. Me përfundimin e këtij projekti, Shqipëria nuk do t’i ketë më këto kimikate të rrezikshme ushtarake”, tha ambasadori Wollfarth.
Faza aktuale e projektit financohet nga Republika Çeke dhe Turqia.
Gjatë katër viteve të fundit, pa shpërthimit vdekjeprurës të municioneve në Gërdec, në vitin 2008, Prezenca e OSBE_së e ka ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurt municionet e tepërta konvencionale dhe kimikatet toksike të rrezikshme. Prezenca ka ndihmuar në shkatërrimin e 34 tonë karburanti raketash dhe 120 tonë dikloroetani. Gjithashtu, Prezenca e ka pajisur Ministrinë e Mbrojtjes me sharra industriale dhe makineri të tjera për çarmatimin e municioneve të tepërta. Këto projekte të mëparshme u financuan nga Danimarka, Finlanda, Gjermania, Greqia, Vendet e Ulëta dhe Suedia.