Arsimi një instrument për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit Rom, thotë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
TIRANË, 5 Prill 2012 – Duke folur në vigjilje të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, vuri theksin mbi rëndësinë e arsimit si një instrument thelbësor për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit Rom brenda shoqërisë shqiptare.
“Përmes shkollimit të mirë fëmijët Romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për t’i hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike,” tha Ambasadori Wollfarth.
“Ndjekja e shkollës nga ana e fëmijëve Romë së bashku me nxënësit e tjerë shqiptarë duhet të jetë në krye të një qëndrimi të integruar për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit Rom. Përqindja e lartë e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve Romë mbetet një shqetësim i madh për ne sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave arsimore të Romëve.”
“Nevojitet zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom, si dhe i angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve Romë me libra falas,” shtoi ai.
“Njëkohësisht, prindërit Romë duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e shkollimit. U takon prindërve që të zgjedhin në favor të shkollimit si e vetmja rrugë për të siguruar mundësi më të mira jetësore në të ardhmen për fëmijët e tyre,” tha ai.
Qysh prej fillimit të mandatit si Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, është përqendruar në çështjet e lidhura me qasjen e barabartë në shkollim të fëmijëve Romë. Me qëllim që t’i jepet zgjidhje kësaj çështjeje, Prezenca ka financuar disa projekte në rajone të ndryshme të vendit me synimin për t’i pajisur fëmijët Romë me materiale shkollore, të cilat përfshijnë ndër të tjera libra dhe kompjuterë.