Prezenca e OSBE-së shënon 15-vjetorin e partneritetit me Shqipërinë
TIRANË, 27 mars 2012 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shënon sot 15-vjetorin e krijimit të saj, në një veprimtari të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth.
“Për 15 vjet, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e reformave gjithëpërfshirëse, duke ndihmuar në konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve kombëtare”, tha ambasadori Eugen Wollfarth në ceremoni.
“Gjatë 15 viteve të fundit, është bërë përparim i ndjeshëm. Falë punës së madhe dhe përkushtimit të qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme, sot shohim një Shqipëri më të fortë, më të gjallë e më të mirë. Gëzimi më i madh që ndaj me qytetarët shqiptarë është liberalizimi i vizave. Me krenari mund të them se Prezenca e OSBE-së ka kontribuar në përparimin që ka bërë ky vend. Jam veçanërisht krenar që Prezenca ka kontribuar në procesin e reformave që kulmoi me liberalizimin e vizave Shengen. Në vitin 2012, ndërsa Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë së saj, unë u bashkohem të gjithë atyre që duan të shohin të bëhen përpjekje më të mëdha në axhendën e reformave”, theksoi ai.
Qëllimi i Prezencës është të promovojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si dhe të forcojë institucionet demokratike, në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së. Prezenca është e mandatuar të punojë në fushat e reformave legjislative dhe gjyqësore, reformës së pronave, reformës elektorale, reformës administrative rajonale, rritjes së kapaciteteve parlamentare, anti-trafikimit dhe anti-korrupsionit, zhvillimit të medias, promovimit të qeverisjes së mirë, zhvillimit të shoqërisë civile dhe ndihmës për policinë. Gjithashtu, ajo ndihmon në procesin e demilitarizimit.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u krijua nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së më 27 mars 1997.