Prezenca e OSBE-së në Shqipëri pajis nxënësit romë dhe egjiptianë me materiale edukuese
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhuroi materiale edukuese bazë për më shumë se 300 fëmijë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, në qytetin juglindor të Korçës.
Materialet u dhuruan nga Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth, më 19 dhjetor 2011, gjatë vizitës në shkollën nëntëvjeçare “Naim Frashëri”, ku 99 për qind e nxënësve janë romë dhe egjiptianë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit vendor, drejtorisë arsimore dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Veprimtaritë në përkrahje të të drejtave të pakicave janë një pjesë e rëndësishme e punës së Prezencës, veçanërisht përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e romëve”, tha Wollfarth.
Kjo ishte veprimtaria e dytë e Prezencës, brenda një jave, në dobi të nxënësve të grupeve të pakicave. Më 15 dhjetor, Prezenca u dhuroi libra dhe kompjuterë fëmijëve romë në një shkollë të qytetit të Fushë-Krujës, si dhe mbuloi shpenzimet e qirasë të kësaj shkolle për një vit.