Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bashkon gratë dhe politikanët kryesorë për rritjen e rolit të grave në qeverisje
TIRANË, 9 nëntor 2011 – Gra aktive në jetën politike dhe publike dhe zyrtarë të lartë të partive politike në Shqipëri u takuan në Tiranë, në një konferencë dyditore të organizuar nga OSBE-ja për rritjen e rolit të grave në qeverisje.
Në fjalën e tij, Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth, tha: “Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në politikë. Tepër gra të forta, të afta dhe energjike vazhdojnë të jenë të përjashtuara nga postet e zgjedhura. Partitë politike duhet të bëjnë më shumë në lidhje me respektimin e kuotës gjinore dhe të vendosin emrat e kandidateve gra në mënyrë më të spikatur në të gjitha listat zgjedhore”.
Në konferencë folën gjithashtu edhe Kryetarja e Kuvendit dhe zëvendëskryetare e Partisë Demokratike Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.
Pjesëmarrësit diskutuan për barazinë gjinore në fusha të ndryshme të jetës publike dhe politike, me fokus të veçantë te përvoja e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre për pushtetin vendor të vitit 2011. Gjithashtu, ata shkëmbyen mendime se si mund të rritet roli i grave të zgjedhura në të ardhmen, veçanërisht përmes zbatimit dhe fuqizimit të kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor dhe se si t’u jepet një mesazh i qartë partive politike dhe institucioneve shtetërore për rëndësinë e mbështetjes së grave në politikë.
Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në mbyllje të një projekti trevjeçar për rritjen e rolit të grave në qeverisje, të financuar nga qeveritë holandeze dhe suedeze.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike, veçanërisht në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.