Prezenca e OSBE-së organizon Konkursin e Dytë të Gjyqit Imitues me studentë të Avokatisë
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Shkollën Kombëtare të Avokatisë, përmbylli më 19 Dhjetor 2016 Konkursin e Dytë të Gjyqit Imitues, me një veprimtari të mbajtur në Gjykatën e Lartë. Tetë skuadra, secila e përbërë prej katër avokatësh të rinj, studentë të Shkollës Kombëtare të Avokatisë, konkurruan në mes tyre në këtë veprimtari.
Synimi i kësaj veprimtarie është rritja e aftësive profesionale të avokatëve të rinj shqiptarë.
Bernd Borchardt, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i kujtoi të pranishmëve angazhimin e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi dhe të Prezencës së OSBE-së në veçanti për të ndihmuar dhe kontribuuar për përmirësimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Nga kjo përvojë e gjatë, kemi vënë re se përpjekjet përqendrohen shpesh te dhënia e asistencës për gjyqtarët dhe prokurorët. Ne besojmë se kjo metodë duhet plotësuar me një qasje më gjithëpërfshirëse,” tha Borchardt. “Është e qartë se avokatët janë po aq të rëndësishëm, sidomos çështjet civile, ku ata janë motori i vërtetë e procesit. Avokatët e zotë janë të gjendje të influencojnë në rezultat dhe të promovojnë gjykim të drejtë, të mbështesin gjyqtarët që të zhvillojnë gjykimet në përputhje me rregullat dhe të marrin vendimin bazuar në parimet e drejtësisë.”
Finalistët e Konkursit të Dytë të Gjyqit Imitues i përshëndeti edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhevair Zaganjori.
Konkursi i parë u mbajt vitin e kaluar në kuadrin e një projekti më të gjerë të Prezencës së OSBE-së. Duke pasur parasysh vlerësimin e lartë për këtë veprimtari nga vetë Shkolla dhe nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Prezenca vendosi ta përfshinte këtë veprimtari si një instrument për rritjen e efikasitetit të shqyrtimit të çështjeve gjyqësore brenda projektit të saj të përgjithshëm për zhvillimin e sistemit gjyqësor.
Veprimtaria e sotme është një prej përpjekjeve të shumta të Prezencës për të rritur efikasitetin e proceseve gjyqësore. Falë mbështetjes së donatorëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Prezenca ka botuar një manual për shqyrtimin e çështjeve civile, si dhe ka zhvilluar trajnime të aftësimit profesional për një numër të madh avokatësh të rinj në mbarë vendin.