Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe partnerët përmbyllin serinë e veprimtarive ndërgjegjësuese për nxitjen e zbatimit të dënimeve alternative
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli, më 6 dhjetor 2016 në Tiranë, një seri veprimtarish të mbajtura gjatë gjithë vitit me gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë me synim ndërgjegjësimin e tyre për dënimet alternative, në kuadrin e një projekti të saj në mbështetje të rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve.
Veprimtari të ngjashme u mbajtën gjatë gjithë vitit në Durrës, Gjirokastër dhe Korçë, duke qenë që të gjitha të organizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Veprimtaritë ndërgjegjësuese u shoqëruan prej trajnimeve të organizuara në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe Shërbimin e Provës, në të cilat morën pjesë mbi 70 gjyqtarë dhe prokurorë nga mbarë vendi. Ato u përqendruan në promovimin e përdorimit të vënies në provë si një alternativë ndaj dënimit me burgim dhe si një instrument i vlefshëm për të fuqizuar integrimin e plotë në shoqëri të të dënuarve. Gjyqtarët dhe prokurorët, po ashtu, morën informacion të plotë rreth rolit të Shërbimit të Provës në të gjitha fazat e ndjekjes penale si dhe për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve.
“Privimi i lirisë duhet të shihet si masë e fundit, e cila duhet të merret vetëm atëherë kur vepra penale është aq e rëndë saqë çdo masë tjetër do të ishte qartazi e pamjaftueshme,” tha Kryetari i Prezencës së OSBE, Ambasadori Bernd Borchardt. “Prezenca ka rekomanduar që të rritet aplikimi i dënimeve alternative. Më vjen shumë mirë që shoh se numri i personave të dënuar me dënime alternative ka ardhur duke u rritur, nga 705 në vitin 2009, në rreth 24,700 deri në vitin 2016”.
Pjesëmarrësve të veprimtarisë ndërgjegjësuese të mbajtur në Tiranë iu drejtuan edhe Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani dhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Prezenca e OSBE-së ka luajtur një rol kyç në krijimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, duke e mbështetur fuqimisht këtë institucion si në realizimin e veprimtarive që kanë të bëjnë me rritjen profesionale të personelit të tij, ashtu edhe në intensifikimin e bashkëpunimit me institucione të tjera të përfshira në dhënien dhe zbatimin e dënimeve alternative. Mbështetja ndaj Shërbimit të Provës do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke ofruar trajnime të specializuara për zyrtarët e tij si dhe duke e promovuar më tej këtë shërbim si një aktor i rëndësishëm i sistemit të drejtësisë.