Prezenca e OSBE, Bashkimi Evropian i Transmetuesve organizojnë seminar strategjik për Transmetuesin Publik Shqiptar
Prezenca e OSBE në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU), organizoi më 15 shtator 2016 një seminar strategjik me pjesëmarrjen e Këshillit Drejtues dhe drejtuesve të tjerë të Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), për të shkëmbyer ide në lidhje me shndërrimin e RTSH në një transmetues publik vërtetë të pavarur.
Boris Bergant, një konsulent i lartë i EBU, i informoi pjesëmarrësit në lidhje me praktikat më të mira në zhvillimin e besueshmërisë dhe të përgjegjësive të qarta, si dhe për sigurimin e mirëkuptimit të strukturave të reja drejtuese. Ai paraqiti gjithashtu parimet rregulluese për mediat e shërbimit publik. “Nuk ekziston një model i suksesshëm transmetuesi publik që mund të kopjohet. Duhet të zgjidhni modelin që ju përshtatet më shumë. Ne jemi këtu për të mbështetur përmirësimet dhe për të dhënë ndihmesën tonë sa herë që ju nevojitet,” tha Bergant.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi, tha se transmetuesi publik ka filluar ta përmirësojë punën e vet duke hartuar udhëzime editoriale si dhe duke ngritur një grup pune për hartimin e statutit të ri të tij. Gëllçi gjithashtu theksoi nevojën për ndryshme ligjore, të cilat do ta bënin transmetuesin publik më të pavarur në vendimmarrjen e vet.
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadrin e përpjekjeve të Prezencës së OSBE për të ndihmuar transformimin e RTSH në një transmetues publik llogaridhënës, të qëndrueshëm, profesional dhe të pavarur editorialisht. Në qershor të vitit 2015, Prezenca, EBU dhe RTSH nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi rreth zhvillimit të veprimtarive të përbashkëta me synim mbështetjen e këtij procesi transformues.