Kryetari i Radhës i OSBE-së Steinmeier viziton Shqipërinë, përsërit mbështetjen për institucionet dhe qytetarët shqiptarë
Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, zhvilloi një vizitë në Tiranë, më 14 qershor 2016, ku shprehu përkushtimin e OSBE-së për partneritet afatgjatë dhe mbështetje për institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë.
“Prezenca po bën punë të mirë dhe ka mbështetjen tonë të plotë”, tha Steinmeier. Po ashtu, ai falënderoi Prezencën për bashkëpunimin e mirë me autoritetet shqiptare.
Steinmeier u takua me Kryetarin në Detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.
Wilton e falënderoi Steinmeier-in për drejtimin e Kryesisë së Radhës së OSBE-së nga Gjermania, në fushat e bashkëpunimit rajonal, dialogut, rinisë dhe kundër kërcënimeve transnacionale. “Ka ende shumë punë thelbësore që OSBE-ja duhet të bëjë me partnerët tanë në Shqipëri për të përmbushur vizionin tonë të përbashkët për siguri kolektive, demokraci plotësisht funksionale dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut. Prezenca e OSBE-së dhe Shqipëria po ecin përpara së bashku”.
Gjatë vizitës së tij, Steinmeier u takua me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe me kryetarin e Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha. Gjithashtu, ai zhvilloi një takim me studentët e Universitetit të Tiranës.
Prezenca e OSBE-së punon nga afër me institucionet partnere në Shqipëri për të mbështetur veprimtaritë e tyre në një sërë fushash, përfshirë menaxhimin e kufirit, gjykata më efikase, policim modern sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe në krijimin e një marrëdhënieje më të fortë mes qytetarëve aktivë dhe institucioneve të tyre demokratike.